Deputeti i Patisë Demokratike, Saimir Korreshi tha se vendimi për përjashtimin e gjashtë deputetëve të opozitës ishte marrë paraprakisht dhe mbledhja e sotme e sekretariatit të Etikës ishte thjesht formale.
“Vendimet janë marrë paraprakisht pavarësisht se formalisht mblidhet sekretariati. Vendimet janë marrë që në grupin parlamentar të PS që u mblodh ditën e djeshme. E njëjta histori, kalojnë afatet, Kuvendi ka shumë punë se ka filluar fushata elektorale dhe më shumë merren me ‘Aktivistin’ sesa më punët. Ata pretendojnë se ka rregullore ndërkohë që janë të parët që kanë shkelur rregulloren. Kur ne kërkojmë interpelancë thonë se është bashkuar me mocionin për debat ndërkohë që duhet të bëhen veçmas”-tha Korreshi.
I pyetur nëse opozita do organizojë protestë dhe do bllokojë seancën e kësaj të enjte, Korreshi tha se do të kishte protestë por është e kotë sepse kryeministri Edi Rama ndodhet në Japoni.
“Patjetër që do të protestojmë. Kësaj radhe i bie të protestosh kot se Koçi i Teto Ollgës është duke bërë luftë me shpata në Japoni. I bie të protestojmë kot edhe këtë javë. Në vend që të jetë parlamenti që kontrollon qeverinë është një kryeministër hajdut që bën të njëjtën tollovi dhe retorikë. Kjo ka ndodhur dhe kjo ndodh. Parlamentin e kanë zhbërë. Është çështje kohe që këtij parlamenti t’i vijë koha. I ka kapur të tre pushtet.
I zbath zërat kritikë dhe mban vetëm njerëzit që i bëjnë vetëm fresk. Ne kemi bërë thirrje publike. Ka pretendime se zoti Zeqaj ishte duke i rënë pianos dhe thjesht ka zgjatur pak dorën. Fjala palaço e kryeministrit u ligjërua” – deklaroi Korreshi.