Trajneri i Kombëtares së Argjentinës Lionel Scaloni ishte i ftuar special në Qendrën Sportive, Coverciano aty ku bisedoi gjatë me kolegët e tij në futbollin italian. Ai foli rreth suksesit të Albicelesteve në Botërorin e Katarit, ku Lionel Messi ngriti në qiell trofeun e shumë ëndërruar për të gjithë popullin argjentinas.
Tekniku 44-vjeçar u shpreh se pas triumfit “fshihej” një komunikim shumë i mirë mes stafit, lojtarëve dhe tifozëve. Ndër të tjera, Scaloni theksoi se Messi e ka “derën të hapur” edhe për Botërorin e vitit 2026.
“Pastaj, sigurisht të kesh në skuadër një lojtar si Messi është avantazh i madh. Si një ish-shok skuadre i tij, ta trajnosh është po aq bukur, shoh se si lojtarët e tjerë e ndjekin dhe e kërkojnë në fushë. Ai është një lider.
Messi në 2026-tën? Nëse do të luajë në Botërorin e ardhshëm apo jo, është një vendim që i takon Messit. Nëse do të jetë mirë fizikisht dhe trupi do t’i përgjigjet, unë e pres”, u shpreh Scaloni.