Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar për zgjedhjen e kryetares së re të Gjykatës Kushtetuese.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, ambasadorja Yuri Kim ka uruar kryetaren Holta Zaçaj, ndërsa shtoi se reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, por se ajo po ecën përpara.
Më tej, Kim siguroi gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të mbështesë fort zbatimin e plotë të reformës në drejtësi në vendin tonë.
“Urime Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetares së re. Holta Zaçaj është kryetarja e parë e zgjedhur qëkur Gjykata arriti të ketë trupë të plotë. I urojmë suksese asaj dhe të gjithë gjyqtarëve të tjerë teksa forcojnë integritetin dhe pavarësinë e Gjykatës.
Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fort zbatimin e plotë të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gur mbi gur…”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.