Svelça/ Vuçiç flet për armatosje të Serbisë, në veri konfiskohet municion i kontrabanduar nga vendi i tij

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës sot ka konfiskuar në veri të Kosovës 6, 300 fishekë të kontrabanduar nga Serbia.

Sveçla ka thënë se përderisa presidenti serb Vuçiç flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.

“6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Sveçla ka thënë se “kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë”.

“Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cenojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka thënë Sveçla.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë, të cilën e drejtonte një mashkull serb.

“Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim të Policisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *