Një tjetër pistë hetimi po ndiqet nga policia dhe prokuroria në Elbasan ku u gjet një makinë tip “BMW X6”, brenda së cilës u kapën 3 kallashnikovë, që sipas informacioneve të para, dyshohet se do të përdoreshin në një atentat. Për këtë ngjarje, deri më tani janë arrestuar shtetasit Arben Spahiu dhe Arsen Preçi.
Fillimisht, grupi hetimor u fokusua tek kapja e këtyre shtetasve, pas dyshimeve se Arben Spahiu dhe Arsen Preçi po përgatisnin një ngjarje të ngjashme që pritej të ndodhte në Elbasan. Kjo bëri që policia dhe prokuroria të fokusonin vëmendjen tek këta dy persona.
Burime bëjnë me dije se deri më tani, të vetmet prova që implikojnë shtetasin Arben Spahiu është karta e identitetit greke e falsifikuar dhe çelësi i makinës që u gjetën në çantën e dorës. Çanta është gjetur në një koshë mbeturinash rreth 150 metra larg nga makina tip “BMW X6”.
Por, ende pritet që të dalin prova të tjera shkencore, nga sendet e gjetura në çantën e dorës, ku kujtojmë se krahas kartës së identitetit, u gjet dhe një pistoletë dhe çelësat e makinës. Provat shkencore do të përcaktojnë përfundimisht këtë ngjarje. (Sërish policia po heton nëse këta dy shtetas po përgatisnin një atentat të mundshëm. Inskenimi është vetëm një pistë hetimi)
Gjithashtu, në momentin e arrestimit të shtetasve Arben Spahiu dhe Arsen Preçi nuk u gjet asgjë e kundraligjshme që t’i implikonin drejtpërdrejt në këtë histori. Mësohet se duke u nisur nga këto detaje, grupi hetimor dyshon se e gjithë kjo ngjarje, mund të jetë e inskenuar për të vendosur në kurth dy shtetasit e arrestuar.
Çanta e dorës e gjetur në koshin e mbeturinave
Një tjetër detaj që zbulohet nga kjo histori është edhe çanta e dorës e gjetur në koshin e mbeturinave rreth 150 metra larg vendit ku u gjet dhe makina. Raportohet se fillimisht, çanta e dorës është zbuluar nga punonjësit e pastrimit të rrugëve.
Njëri prej tyre, e vendosi çantën në makinën e mbledhjes së mbeturinave. Çanta e dorës është gjetur rastësisht nga ana e policisë. Në momentin e konstatimit të makinës, policia nuk ka ndërhyrë menjëherë, por e ka mbajtur nën vëzhgim.
Nga ana tjetër, agjentët e DVP Elbasasn, kanë kryer kontrolle përreth vendit ku ishte makina. Njëri prej agjentëve, teksa kërkonte për prova pyeti një prej punonjësve të pastrimit të rrugëve nëse kanë gjetur ndonjë send. Ky i fundit i ka dhënë çantën e dorës, brenda së cilës është gjetur karta e identitetit e falsifikuar, çelësi i makinës tip “BMW X6” si dhe një armë tip pistoletë.
E gjithë kronologjia e kësaj ngjarje, ka bërë që grupi hetimor të zgjerojë pistën e hetimit në atë të inskenimit. Një dyshim është se e gjithë historia të jetë inskenuar nga kundërshtarët e një prej personave të arrestuar, Arben Spahiut. Ky i fundit është kunati i Erion Alibejt, një personazh i njohur nga drejtësia.
Kamerat e sigurisë
Autoritetet po vijojnë punën intesivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjes, teksa janë sekuestruar dhjetra kamera të cilat rrethojnë zonën ku u gjet automjeti dhe çanta e dorës. Burime bëjnë me dije se nga këqyrja paraprake, rezultojnë se në këtë zonë lëvizin një numër i madh njerëzish dhe ende nuk është identifikuar personi i cili ka hedhur çantën në koshin e mbeturinave.
Megjithatë, po punohet intensivisht, ndoshta s’ka kapacitete njerëzore për të këqyrur pamjet filmike të cilat janë me dhjetra të sekuestruara në afërsi të mjetit dhe koshit të mbeturinave.
E gjithë ngjarja ndodhi nën vëzhgimin e dhjetra kamerave, të cilat do jenë të rëndësishme për grupin hetimor për të finalizuar akuzën nëse dy personat e arrestuar janë të përfshirë në këtë ngjarje, apo kanë rënë në grackën e personave të tjerë që dyshohet se mund të kenë inskenuar ngjarjen./PanoramaTV