Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ka vijuar me rrëfimet për rrjetin amerikan, One America News, ku kësaj radhe ka nxjerrë detaje nga marrëdhënia e ish-zyrtarit të FBI-së tashmë të arrestuar, me kryeministrin Rama.
Guerriero ka treguar të dhëna tronditëse për takimet e ish-të dashurit të saj me kryeministrin shqiptar. “Isha shumë e befasuar, shumë e zhgënjyer. Ishte e lehtë për të të më tradhtonte mua dhe familjen e tij. Nuk e mendoja kurrë se do tradhtonte vendin e tij. Besoj se ai është tradhtar,” tha ajo për gazetaren Sinclair.
Allison tha se në emailin që kishte dërguar për FBI, nuk e përdorte termin tradhtar. “U thashë të shihte punët që po bënte në Shqipëri. Mendoja se fillonte dhe mbaronte me Shqipërinë. Nuk e dija se ishin të përfshirë edhe pjesa tjetër e Ballkanit, sigurisht nuk e dija që mund të ishin përfshirë edhe rusët”, shtoi Guerriero.
Guerreiro tha se agjentë të FBI-së e kishin pyetur për lidhjet e McGonigal me Ramën. “Ata më besuan. Në fund të nëntorit të vitit 2021, ata trokitën në derën time. Më pyetën sa shpesh kishte shkuar Charlie në Shqipëri, sa herë ishte shoqëruar me kryeministrin Edi Rama, kur ishte këtu në asamblenë e OKB. Charlie më tha, nuk e di a mund t’i besoj më ato që thoshte ai, që e çoi kryeministrin Rama në restorantin St. George dhe se darka kushtoi 10 mijë dollarë”, pohoi ajo.