Krerët e shteteve në Kosovë dhe Serbi, të cilët për herë të fundit u takuan në verën e vitit të kaluar, do të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në Bruksel. Përpjekja për normalizimin e marrëdhënieve rinis të hënën me një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiç. Kurti është përgatitur që atë ditë t’i përmbahet propozimit europian, i cili megjithatë e ka brenda një “pikë shumë kontestuese”, siç është formimi i Asociacionit, për të cilin Vuçiq paralajmëroi se do të insistojë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hënën në takimin që pritet ta zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Ai tha të hënën se pret përparim në dialog mbi bazën e propozimit europian.
“Ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme, edhe të ecet përpara mbi bazën e atij propozimi. Mirëpo, për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani për shkak se jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësit. Domethënë, pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, tha Kurti.
I pyetur nëse do të diskutohet për Asociacionin, Kurti tha se “duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrur dhe jo interesit të njërës palë”.
Vuçiq, ndërkaq, po bëhet gati për diçka tjetër. Ai të martën komentoi deklaratat e fundit të Kurtit për Asociacionin, duke thënë se kjo temë do të diskutohet në takim.
“Sigurisht që do të jetë, sepse unë do të flas për Asociacionin. Për Zotin do të duhej të flisnin edhe përfaqësuesit europianë. E sa i përket atij (Kurtit), atë e dimë, ai kurrë nuk do ta formojë atë. Ai do të japë gjithçka nga vetja në atë variantin – ‘po po, unë pranoj gjithçka, por paraprakisht Serbia të na njohë neve, e më pas ta formojmë Asociacionin’”, tha ai për TV Pink.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseb Borrell dhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin dhe do të pasojë një takim i përbashkët.
Në një komunikatë të lëshuar më 17 shkurt, Bashkimi Europian njoftoi se “në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kurti tha të hënën në një intervistë për France24 se ky takim do të tregojë se “sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit”.
“Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, tha Kurti.
Për agjendën e takimit të së hënës, për ta përcaktuar atë, analisti serb Dushan Janjiq pret që të ndërhyjë pesëshja që po ndërmjetëson bisedimet Kosovë -Serbi, Gjermania, Franca, Italia SHBA, BE.
Duke thënë se Vuçiq nuk duhet të shkojë në Bruksel nëse nuk flitet për Asociacionin, Janjiq tha se në këto dy-tre ditë do të duhej të pasonte ndërhyrja e vendeve të “pesëshes së madhe” për të përcaktuar agjendën në Bruksel, duke iu referuar Gjermanisë, Francës, Italisë, Uashingtonit dhe BE-së.
Cila mund të jetë pika e nxehtë e diskutimit?
Brukseli ka refuzuar të japë detaje për pritjet që kanë nga takimi i së hënës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
Por për këtë takim të dielën ka folur nga Mynihu presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në një intervistë për Deutsche Ëelle-n. Ai tha se “nuk ka rrugëdalje” nga kjo marrëveshje .
“Unë mendoj se me pranimin e tekstit bazë të marrëveshjes nga të dyja palët, është bërë një lëvizje. Ky është një shans që nuk duhet lëshuar. E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për dokumentin përcjellës, planin e zbatimit. Shpresoj se edhe për këtë do të arrihet një marrëveshje. Sinqerisht dua që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse mendoj se kjo do të ishte e një rëndësie të pamatë për stabilitetin dhe perspektivën europiane të rajonit” ka thënë Gjukanoviq.