Vlorë/ Një i arrestuar dhe 4 në kërkim, policia u gjen armë dhe veshje policie

Policia ka goditur një grup kriminal në Vlorë gjatë kontrolleve të shtuara mbrëmjen e djeshme, nën drejtimin e Drejtuesi i ri i Drejtorisë së Policisë Vlorë, Ermal Muça.

Në pranga është vënë 29-vjeçari Denis Karafili ndërkohë që katër të tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht Inez Hajrulla, 30 vjeç, Olsi Koçeli, 33 vjeç, Erand Hoxha, 32 vjeç dhe Klaus Islamaj, 31 vjeç.

Aksioni ka nisur pasi policia ka sinjalizuar një automjet tip “Toyota” për të ndalur por personat që po udhëtonin në të, nuk i janë bindur uniformave blu.

Gjatë kontrollit policia ka gjetur veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Policia, kontrolle të shtuara, bazuar në inteligjencën informative, për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit, kundërshtuan punonjësit e Policisë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 4 të tjerë, të pestë pjesëtarë të një grupi kriminal me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit.

Sekuestrohen municion luftarak, jelek antiplumb, targa automjetesh të vjedhura, një shumë parash, veshje dhe radio si të Policisë, që u gjetën në banesën dhe në biznesin e 2 prej këtyre shtetasve.

Në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të automjetit tip “Toyota”, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullonin me këtë automjet.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe me miratim të organit të procedurës u ushtruan kontrolle intensive, në ambiente të ndryshme dhe në banesat e tyre, me qëllim kapjen e këtyre shtetasve dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, nisur dhe nga informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi kriminal dhe mund të fshihnin sende të kundërligjshme në banesat e tyre.

Në vijim të veprimeve u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej 5 personave që qarkullonin me automjetin tip “Toyota”, konkretisht shtetasi D. K., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit I. H., 30 vjeç, O. K., 33 vjeç, E. H., 32 vjeç dhe K. I., 31 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit O. K. dhe në biznesin (servis automjetesh) e shtetasit D. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, municion luftarak, dhe sende të tjera, që dyshohet se i shërbenin veprimtarisë së grupit kriminal në të cilin bënin pjesë këta shtetas.

Vijojnë kontrollet intensive nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë dhe Fier, për lokalizimin dhe kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *