Operacioni i policisë në Vlorë/ I shpëtoi dy atentateve, kush është i shpalluri në kërkim Inez Hajrulla?

Inez Hajrulla është një nga personat e shpallur në kërkim nga policia gjatë aksionit të finalizuar mbrëmjen e djeshme në Vlorë ku u godit një grup kriminal.

Në pranga është vënë njëri prej tyre, ndërkohë që bashkë me Hajrullan janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Kush është Inez Hajrulla?

Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët. Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, skemë tipike e eliminimeve mafioze, teksa ishte ulur në një lokal. Ai mundi t’i shpëtoj atentatit, por u plagos në mënyrë rastësore Dajko Cenodemaj që po pinte kafe. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko. Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur.

Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim Fatmir Hyseni, i kërkuar edhe si autor i ekzekutimit të Santiago Malkos, ngjarjes së ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko” disa vite më parë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *