Gjykata Kushtetuese zbardhi të enjten dy vendimet e arsyetuara për dy ankesat e opozitës lidhur me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.
Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.
“Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi,” thuhet në vendimin e shumicës.
Mendimi i pakicës kundër në vendim përfaqësohej nga anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Sipas arsyetimit të Bejtjes, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.
Ndërsa dy anëtarët Sandër Beci dhe Ilir Toska kundërshtuan vendimin për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes 1/10 e deputetëve dhe Kuvendit, pasi sipas tyre 1/10 e deputetëve nuk legjitimohet për fillimin e një gjykimi kushtetues për këtë çështje.
Në vendimin e dytë, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi të shqyrtonte në themel “konstatimin e papajtueshmërisë së deputetes Olta Xhaçka”, e kërkuar nga 1/5 e deputetëve demokratë, duke argumentuar se gjykata aktivizohet vetëm me kërkesë të Kuvendit.
“Për sa kohë që ky i fundit nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatë, juridiksioni i saj për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shkelje të ndalimeve sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, nuk është aktivizuar,” thuhet në vendim.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë ndarë në interpretime edhe në vendimin e dytë, që u vu në lëvizje nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike me në krye Agron Shehajn. Katër anëtarë të kësaj gjykate, Sonila Bejtja, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska janë përfaqësuar me mendime pakice.
Gjithsesi, vendimi bën interpretim të rasteve se kur kjo gjykatë e shqyrton papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës, duke e cilësuar të pabazuar një prej pikave të kësaj kërkese. Ajo e quan jashtë juridiksionit të saj interpretimin e paragrafit 2, ku papapajtueshmëria e mandatit parashikohet me ligje të tjera.
Kushtetuesja sqaron se ajo “ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkelje të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre”.
Gjatë mbrojtjes në gjykatë, avokati i Xhaçkës, Genci Çifligu, pretendoi se “nuk ishte vetë deputetja” që kishte përfituar nga statusi i “investitorit strategjik”, edhe pse pranoi se ajo ishte në dijeni të konfliktit të interesit kur Këshilli i Ministrave kishte marrë vendim për t’i dhënë kompanisë së kunatës të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit./BIRN