OKB miraton rezolutën për tërheqjen e Rusisë nga Ukraina

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund armiqësive në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj. Kjo rezolutë, që është joobliguese, dërgon një mesazh të fuqishëm në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, duke kërkuar që Moska t’i japë fund agresionit.

Rezoluta, që është përpiluar nga Ukraina në konsultim me aleatët e saj, kaloi me 141 vota për, shtatë kundër dhe 32 abstenime.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se miratimi i kësaj rezolute është dëshmi shtesë se jo vetëm Perëndimi e mbështet shtetin e tij: “Mbështetja është shumë më e madhe, dhe vetëm do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet. Ky votim sfidon argumentin se pjesa jugore e botës nuk qëndron në anën e Ukrainës, sepse shumë shtete që përfaqësojnë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë votuan për rezolutën sot”

Asambleja e Përgjithshme është shndërruar në trupin më të rëndësishëm të OKB-së që merret me Ukrainën sepse Këshilli i Sigurimit, që është përgjegjës për mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është paralizuar nga marrja e vendimeve për shkak se Rusia ka fuqinë e vetos. Megjithatë, rezolutat e Asamblesë, për dallim nga ato të Këshillit, janë joobligative, por shërbejnë si një barometër për opinionin botëror.

Shtatë shtetet që votuan kundër rezolutën ishin Bjellorusia, Mali, Nikaragua, Rusia, Siria, Koreja e Veriut dhe Eritrea.

Gjatë dy ditëve, minsitrat e Jashtëm dhe diplomatët nga 75 shtete të botës iu adresuan Asamblesë, me shumicën prej tyre që shprehën mbështetjen e tyre për rezolutën që mbron integritetin territorial të Ukrainës, parimet bazike të Kartës së OKB-së që të gjitha shtetet që janë pjesë e kësaj organizate duhet t’i përmbahen./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *