Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për herë të parë do t`i kushtohet propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për RTK-në emisari i BE-së Mirosllav Lajçak, i cili ka potencuar se presin që zyrtarisht palët të deklarojnë nëse e pranojnë planin.
Sipas Lajçakut, plani në vete është “lëre ose merre” .
“27 shkurti është një ditë e rëndësishme. Por për herë të parë do t’i kushtohet planit evropian. Ne presim që ata zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin. Do të jetë më shumë se pranim gojor. Por nuk dua të flas për ceremoni sepse do të diskutojmë për planin e zbatimit. Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, ka thënë ai.
Ai tutje ka theksuar se plani nuk do të negociohet, sepse vetë plani është i hartuar nga Bashkimi Evropian dhe palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim asnjë arsye as gjasa për negociata./