Kreu i Partisë Demokrtike Sali Berisha e ka nisur me një minutë heshtje konferencën e përjavshme me gazetarët për shkak të një vjetorit të luftës së Ukrainës. Berisha tha se Vladimir Putin të cilin e quajti diktator mizor, urdhëroi pushtimin e Ukrainës pa asnjë shkak. Kreu demokrat vlerësoi guximin dhe qëndresën e popullit ukrainas.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Sot mbushet një vit nga qëndresa dhe lufta heroike e kombit ukrainas kundër agresionit barbar rus. Një vit më parë, diktatori mizor i Kremlinit, urdhëroi trupat ruse të sulmojnë pa asnjë shkak, asnjë arsye, një komb, një vend të lirë, të pavarur, demokratik, një fqinj dhe në rrafshin etnik, një komb vëlla.
Ndërkohë që të tjerët prisnin dhe paralajmëronin për çështje ditësh kapitullimin e Ukrainës, Presidenti Volodimir Zelenski, forcat e armatosura, dhe kombi liridashës ukrainas u ngritën në zenitin e guximit, trimërisë, atdhetarisë.
Pas këtij shembulli frymëzues dhe të jashtëzakonshëm vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mobilizuan potenciale të mëdha financiare, logjistike, armatime moderne me të cilat luftëtarët e pamposhtur të Ukrainës bënë që agresori të dështojë me turp në rrafshin strategjik, taktik dhe operacional.
Sot, në këtë përvjetor njerëzit e lirë në mbarë botën përulen me nderimin më të madh para qëndresës së jashtëzakonshme dhe sakrificës sublime të dhjetëra e mijëra luftëtarëve ukrainas të lirisë që luftuan dhe ranë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e vendit tyre. Partia Demokratike e Shqipërisë, duke dënuar me forcën më të madhe agresionin barbar rus dhe mbështetur fuqishëm rezistencën e fuqishme të popullit të Ukrainës ndaj tij, konsideron luftën heroike të kombit të Ukrainës kundër agresorit rus, si një luftë jo vetëm për sovranitetin dhe lirinë e vendit të tij, por si një luftë mburojë e pakapërcyeshme për mbrojtjen e lirisë në Evropë dhe në botë”