A rrezikohet Ballkani nga pushtimi rus në Ukrainë? Flasin ekspertët

Lufta në Ukrainë ka qenë një ndër temat kryesore ditën e sotme pasi më 24 shkurt 2022 filloi agresioni rus kundër ukrainasve duke shënuar pikërisht një vit sot.

Të ftuar në emisionin ‘Zonë e Lirë’, ekspertët Ervin Karamuço dhe Ilir Kulla diskutuan edhe për rrezikun me të cilin mund të përballet Ballkani si pasojë e kësaj lufte. Karamuço përmendi disa grupe paramilitare që sipas tij rrezikojnë stabilitetin në Ballkan.

“Lufta në Ukrainë nuk ka filluar vitin e kaluar por në vitin 2014. Kemi dy grushte shteti, e Malit të Zi dhe gati 6 muaj më vonë tentativa bëhet në Maqedoninë e Veriut. Edhe aty është provuar se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë të agjentëve rusë. Vijmë në Bosnje dhe në veriun e Kosovës.

Këta kanë kohë që tentojnë por janë 4 grupe paramilitare që mund të provokojnë luftë në Ballkan. Ujqërit e Natës, Patrullat Popullore Ekstremi i djathtë nacionalist, Wagneri dhe Brigadat e Veriut. Këto janë 4 grupet paramilitare që mund të rrezikojnë stabilitetin në Ballkan”, tha Karamuço.

Ndërkohë sipas Kullës, nuk bëhet fjalë për grupe të caktuara por për një doktrinë të mirëfilltë ruso-serbe. Ai shtoi se Serbia është furnizuar me armë gjatë viteve të fundit, dhe sipas tij, një ushtri e armatosur në kufi me Kosovën, përbën një rrezik real për Ballkanin.

“Në Kosovë ka aktivitet të shërbimit rus. Në veriun e Kosovës ka që në ’99 kur ka hyrë ushtria serbe, ka veprim të drejtpërdrejtë të shërbimit sekret rus. Ka aktivitet të drejtpërdrejtë të shtetit rus dhe Serbisë. Qëndron në planet e Rusisë prej shumë kohësh ndryshimi i kufijve në Ballkan. Në Ballkan ka një doktrinë të mirëfilltë ruso-serbe. Konflikti është transferuar sepse është një shtet, kandidat për në BE, ka 10 vjet që armatoset dhe blen armatime më moderne. Serbia ka blerë armatime në Rusi, Kinë dhe vendet perëndimore. Mundësia është e lartë sepse është në politikë.

Ushtria serbe dhe ruse janë të lodhur fort në bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak. Nuk është çështje e disa grupeve të vogla por e një politike që vjen nga lart. Problemi real është që një ushtri e mirëfilltë e armatosure, me ndihmën e Rusisë dhe Kinës në kufijtë e Kosovës është një kërcënim real për paqen”, tha Kulla.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *