Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet për shkollën 9-vjeçare “Musine Kokalari”, tha se investimet në kryeqytet nuk do të ndalen nga ato që ai i quan “partiçka”. Veliaj mori si shembull pengesat që u krijuan në lagjen e re në Kombinat.
“Për një pjesë të madhe të pallateve ka mbaruar karabinaja, por sa më vjen mirë për këtë, aq edhe më vjen keq për kohën që kemi humbur. Futet një parti e vogël, i hedh trutë e gomarit dikujt, fillojnë gjyqet, masat e bllokimit etj. Na u desh fillimisht të fitonim betejat ligjore, më pas të fitonim betejën e llaçit dhe tullave. Më vjen mirë që në pranverë do të futen familjet e para në shtëpi dhe ambicia jonë është që, brenda këtij viti, ta mbyllim 100% historinë e tërmetit, edhe te ‘5 Maji’, edhe këtu në Kombinat, me shpresën që partiçkat nuk do të na pengojnë prapë.”
Kreu i Bashkisë tha se me shkollat e reja dhe me lagjen e re, Kombinati po shndërrohet në një hapësirë të rëndësishme për qytetin.
“Në Kombinat vijmë me kokën lart. Çfarë beteje bëmë për shkollën “Betim Muço”, që ishte nisur të bëhej pallat. Shumë njerëz e harrojnë, por shkolla “Kosova”, shkolla “Betim Muço”, ishin terrene që ishin nisur për pallate. Tani po ndërtohet “Musine Kokalari 2”, mbaruam “Lasgush Poradecin” me miqtë e Katarit, ka dalë një ndër shkollat më të bukura në Republikë. Fillojmë edhe me “Myslym Ketën” dhe besoj se Kombinati nuk i ka parë 4 shkolla të reja brenda një mandati, që nga koha e Çlirimit.”
Shkolla Musine Kokalari tha Veliaj, do të ndërtohet dy herë me e madhe seç ka qenë për të pritur 1200 nxënës, nga 800 që ka pasur më parë.