Ekzekutivi europian i futbollit, UEFA ka përditësuar koeficientët e klubeve. Lista që në përbërje ka 423 skuadra, përpilohet në bazë të rendimentit të tyre në kupat e Europës, në pesë vitet e fundit.
Në bazë të klasifikimit të muajit shkurt, Laçi është klubi më i mirë në Shqipëri dhe për këtë motiv do të ketë një short më të favorshëm në momentin që do të jetë pjesë e shorteve të kompeticioneve të UEFA-s. Në pesë sezonet e fundit, skuadra nga Kurbini ka arritur të grumbullojë 7 mijë e 500 pikë duke u renditur e 174-ta.
Në këtë klasifikim, i dytë ekip i pozicionuar më mirë në vendin tonë është formacioni i Partizanit, i 254-ti dhe kjo pasi në pesë sezonet e fundit ka grumbulluar 5 mijë pikë.
Pak vende më poshtë ndodhen edhe Teuta e Kukësi, respektivisht e 280-ta dhe i 282-ti. Ato kanë një shifër të barabartë pikësh (4 mijë e 500).
Ndërkaq, falë 4 mijë pikëve të grumbulluara në pesë sezonet e fundit, skuadra e Tiranës mban vendin e 298-të teksa në të njëjtën periudhë kohore, shkodranët e Vllaznisë kanë vetëm 3 mijë pikë duke u renditur të 338-ët.
Sa i përket klubeve që kanë koeficientin më të mirë janë: Bayern-i (132 mijë pikë), ndjekur nga City po me (132 mijë pikë) dhe Liverpool (123 mijë pikë).