Gjykata në Den Bosch të Holandës ka liruar përkohësisht tre nga katër të arrestuar që dyshohet se janë përgjegjës për një sasi prej rreth 7.9 tonësh kokainë që u kap në portin e Antwerpit.
Mësohet se ata i kanë shpëtuar qelisë dhe po mbikëqyren përmes pajisjeve lokalizuese. Sipas mediave të huaja gjykata ka mjaftueshëm prova për t’i mbajtur të dyshuarit në paraburgim edhe më gjatë, por i ka liruar ata me kusht, rast që sipas tyre është përsëritur shpesh në vitet e fundit me kapjet e mëdha të kokainës.
Mësohet se të dyshuarit janë holandezë dhe një prej tyre është shqiptar. Avokati i të dyshuarit nga Shqipëria kishte deklaruar para gjykatës se klienti i tij nuk kishte rrezik të arratisej pasi do të qëndronte në Amsterdam, argument që është marrë parasysh nga gjykatësi duke urdhëruar shqiptarin të dorëzojë pasaportën dhe të mos largohet nga Holanda.