Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia Joy Ayoko është lënë i lirë nga policia pasi, per disa ore, dha dëshminë e tij në lidhje me dyshimet e grupit hetimor se ky i fundit mund të ketë gisht në rrahjen brutale të të resë e cila pas disa muajsh në koma humbi jetën në një spital në Kenia.
32-vjeçari Rodi Barçi në deklaratën e tij përpara efektivëve të Komisariatit nr 1 i ka qëndruar fjalëve që ka thënë edhe më herët në lidhje me këtë ngjarje. Ai ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më raporte me njëri tjetrin.
Shoqërimi i tij në ambientet policore është bërë me urdhër gjykate. Togat e zeza kanë lëshuar gjithashtu edhe një tjetër urdhër, duke marrë në pyetje për herë të dytë shoqen e viktimës, Emily Mutua.
Në deklaratën e saj, mikja e kenianes ka dhënë disa detaje të reja për policinë, që sipas burimeve priten që të hedhin dritë në misterin e çështjes së Joy-t. Për momentin këto detaje mbahen sekret nga hetimi, për faktin se nuk kanë prova të mjaftueshme për të ngritur akuza zyrtare dhe të nisin me arrestimet.
Më heret Prokuroria e Tiranës i ka dërguar letërporosi homologëve në Kenia ku i ka kërkuar autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë. Dyshohet se vajza, para se të rrihej brutalisht dhe më pas të hidhej nga ballkoni i banesës së saj të jetë përdhunuar.
Sipas dëshmisë së mamasë së viktimës, kjo e fundit ka thënë se e bija ndiqej sistematikisht nga shoferi i kompanisë ku punonin dhe ishte kthyer në një shqetësim për të bijën për shkak të sjelljes që ai kishte.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht të vitit të kaluar ku Joy Ayoko u dhunua brutalisht dhe u hodh nga lartësia. Ajo u gjet pas afro dy ditësh në gjëndje të rëndë dhe u dërgua në spitalin e Traumës. Më pas ajo u transferua në Kenia ku humbi jetën pasi qëndroi disa muaj në koma.