Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën duke e konsideruar si një prej personave më të rrezikshëm në Shqipëri.
Gjatë një takimi me anëtarët e degëve të Tiranës, Berisha tha se Olsi Ramës i del emri tek biznesi i lojrave të fatit. Më tej, kreu i PD-së shtoi se Olsi Rama ndihmoi Genti Xhixhën, furnitorin e Kokainës së Xibrakës, që të largohej nga Shqipëria.
Berisha u shpreh se vendi është pushtuar nga një organizatë kriminale, ndërsa tha se baxhanaku u kryeministrit Edi Rama, fiton me dhjetëra tendera.
“Nëse ju merrni tendera, a mundet që familjarët e kryeministrit të marrin pjesë në tendera. Jo kurrë. Nuk keni dëgjuar dhe nuk do të dëgjoni kurrë të marrë pjesë në tendera publike familjarë i një kryeministri që kërkon të jetë transparent. Pa merrni pak, shkoni e shifni të dhënat. Dhjetra tendera fiton burri i motrës së Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës. Dhjetra tendera fiton thjeshtra. Ajo punon një kompani arkitektësh, mund të jetë e zonja por ajo kompani nuk mund të fitojë tendera, sepse Europa ka qindra kompani. Bota ka qindra kompani. Ajo për definicion ajo kompani përjashtohet nga tenderat. Mos të flasim për Olsin, nuk ka person më të rrezikshëm, më peshkaqen. Olsi Rama është njeriu që përcolli Genti Xhixhën, furnitori i fabrikës së miellit në Xibrakë. Olsi Ramës i del emri si eminenca gri e lojrave të fatit në Shqipëri. Çfarë është kjo betejë e jona, ky revolucion? Ky revolucion është për të shpëtuar çdo shqiptar nga kjo qeveri, që po i largon njerëzit nga vendi.
Sot vendin e drejton mafia. Ne duhet të ngrihemi me forcën më të madhe. E theksoj përsëri, revolucionet i bëjnë pakica. Revolucionet paqësore i firmosin shumica me vota. Ne do ecim në këtë rrugë. Ne do bashkëpunojmë me çdo njeri që është i vendosur për të shpëtuar Shqipërinë dhe për t’i dalë Zot”, tha Berisha.