Shtetasi me inicialet Xh.Zh. ka rënë në prangat e policisë pasi sulmoi me sende të forta autobusin e ekipit të futbollit të Pogradecit. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në afërsi të Librazhdit, pas ndeshjes së zhvilluar midis ekipeve të Elbasanit dhe Pogradecit. 22-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, menjëherë pas njoftimit të marrë se pas përfundimit të ndeshjes së futbollit të zhvilluar ditën e djeshme, në stadiumin Elbasan Arena, ndërmjet skuadrave KF Pogradeci dhe KF Elbasanit, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, në afërsi të Librazhdit, një shtetas kishte goditur me send të fortë (shishe qelqi), xhamin e autobusit në të cilin udhëtonte ekipi i futbollit KF Pogradeci, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e tij.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Xh. Zh., 22 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv”.
22-vjeçari, teksa lëvizte me automjet, ka goditur me send të fortë (shishe qelqi), xhamin e autobusit në të cilin udhëtonte ekipi KF Pogradeci, pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, ditën e djeshme, në stadiumin Elbasan Arena.
Nga goditja, nuk është dëmtuar asnjë nga futbollistët që ndodheshin në autobus.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.