Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një komunikim me mediat, ka konfirmuar zhvillimin e se mocionit me debat në datën 2 mars. Balla cilësoi se çdo deputet do të ketë 10 minuta kohë në dispozicion. Sipas tij, i gjithë grupi parlamentar rozë po pret me padurim mocionin me debat për t’i treguar qytetarëve disa çështje të mëdha.
“Të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten për këtë debat, edhe ne po përgatitemi për ta shfrytëzuar këtë moment për një komunikim me qytetarët dhe për të ndarë me opinionin publik çështjet me rëndësi dhe besoj të mos gjendemi me kërkesa të tjera procedurale që të pengojnë mbajtjen e këtij mocioni me debat.
Çdo deputet do ketë 10 minuta. Këtu kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave sepse ju e dini që rregullorja e Kuvendit pavarësisht se ka disa kërkesa, i bashkon në një debat të vetëm dhe mendoj se 24 orë janë mjaftueshëm. Është opinioni publik që na gjykon.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste mezi po e pret ketë mocion me debat për të komunikuar me publikun disa çështje të mëdha. Data 2 është seanca e përcaktuar me një pikë e rendit të ditës, mocioni me debat”, tha Balla.