Siguria në rrugët e vendit mungon dukshëm, teksa çdo ditë shënohen aksidente që marrin jetë njerëzish, e lënë të plagosur shumë të tjerë. Shpesh sinjalistika rrugore mungon ose është e cunguar.
Aksi Belsh-Cërrik është një nga më problematiket, aksidentet në të cilin kanë shkaktuar jo pak herë viktima. Mungesa e ndriçimit si edhe problemet e shkaktuara nga moti i keq janë shkaqet kryesore të aksidenteve në këtë aks.
Pjesa nga Papri për në dalje të lagjes së quajtur Fermë në drejtim të Belshit, është zona më e rrezikshme e këtij aksi. Një muaj parë, në këtë aks mbeti i vdekur në aksident një 60-vjeçar, pasi në rrugë mungonte ndriçimi dhe sinjalistika.
Banorët kanë bërë jo pak herë thirrje për vendosjen e ndriçimit dhe sinjalistikës, ndonëse ARRSH nuk ka marrë ende asnjë vendim për përmirësimin e situatës. Por, ata që vuajnë pasojat e kësaj papërgjegjshmërie janë qytetarët.