SKANDALI/ Kompania që riciklon mbetjet spitalore e Arbër Teqes punon pa leje mjedisore


Mbetjet e rrezikshme spitalore janë trajtuar nga kompani pa leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Në këto kushte kompania  nuk ka përdorur standardet e nevojshme të grumbullimit dhe asgjësimit të këtyre mbetjeve.

Bëhet fjalë për kompaninë “ECO RICIKLIM”, e cila e ka shtrirë aktivitetin në  spitalin  e Vlorës, Fierit, Elbasanit dhe spitalin e Traumës në Tiranë duke shkelur ligjin me faturë mbi 1 milion euro në favor të saj,  pa leje mjedisore për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Si zakonisht historia e mbetjeve spitalore e ka zanafillën në Elbasan, me tenderin e organizuar nga spitali i Elbasanit në Shtator 2017. Qellimi i këtij tenderi ishte grumbullimi dhe asgjesimi i mbetjeve spitalore me vlerë 20 milionë lekë.

Por kompania “ECO RICIKLIM” në pronësi të Arbër Teqja e ka fituar tenderin pa garë pasi asnjë kompani nuk ka marrë pjesë dhe sipas dokumentave nuk ka leje mjedisore III.2.B. Spitali ka mbyllur sytë dhe ka firmosur kontratën 3-mujore duke helmuar tokën e Elbasanit.

Tender nga spitali i Elbasanit “Xhaferr Kongoli” në 2017 pa patur licencë

Burimi: Open Data Albania

Vetëm nga spitali i Elbasanit duke qënë pa licencë, kompania “ECO RICIKLIM” ka marrë mbi 250 milionë lekë me para të sponsorizuara nga Buxheti i Shtetit. Jo më kot Elbasani është qyteti më i ndotur në Shqipëri pasi kompanitë e kanë kthyer në gropë për të fshehur krimet e tyre.

Në të njëjtën periudhë, kompania “ECO RICIKLIM” ka zgjatur tentakulat drejt spitalit të Vlorës për të marrë tenderin për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Ky tender është anulluar dy herë dhe herën e tretë kompania e Arbër Teqjes e ka fituar kontratën pa garë. Të paktën në dy raste spitali i Vlorës ka dhënë për këtë kompani kontrata publike gjatë kohës që kjo kompani ka qënë pa licencë.

Tender nga Spitali Rajonal i Vlorës në 2017 pa patur licencë

Burimi: Open Data Albania

Spitali Rajonal i Fierit është një tjetër institucion që ka shkelur ligjin duke i dhënë disa kontrata “ECO RICIKLIM”, edhe pse kjo e fundit nuk ka patur licencë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Marrëveshja kuadër ka patur konkurrentë “Med-Tel”, i cili është skualifikuar sepse nuk ka patur leje nga bashkia për depozitimin e mbetjeve në një landfill të licencuar. Në shkurt 2019 “ECO RICIKLIM” është shpallur fituese dhe ankesa e kompanisë “Med-Tel” nuk është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimeve.  Tender nga Spitali Rajonal i Fierit në 2019 pa patur licencë

Burimi: Open Data Albania

Duke shkelur ligjin dhe duke mos plotësuar kushtet për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, kompania e Arbër Teqjes ka konkurruar dhe tek Spitali i Traumës.

Në 5 maj 2019, “ECO RICIKLIM” fitoi tenderin me vlerë 285 milionë lekë duke garuar me kompaninë “PURA-MEDICAL” dhe “Medi –TEL” që nuk ka bërë ofertë. Ironia e tenderit është se  “PURA-MEDICAL” nuk ka patur licencën dhe është skualifikuar ndërkohë kompania fituese nuk kishte marrë akoma lejen nga Ministria e Mjedisit.

Tender nga Spitali Universitar i Traumës në 2019 pa patur licencë

Burimi: Open Data Albania

Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik

Por cilat janë rreziqet mjedisore dhe çfarë nuk dimë?

Së pari, kompania nuk ka patur licencë për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme ku përfshihen shiringat spitalore. Duke mos i përpunuar dhe asgjësuar, kjo kompani shkurton kostot financiare dhe shërbimet njerëzore duke rritur fitimet në kurriz të mjedisit.

Së dyti, që këto mbetje të depozitohen në landfill të licencuar duhet të përpunohen që të jenë të padëmshme. Kush janë landfillet e bashkive që kanë pranuar këto mbetje të rrezikshme?

Kjo është një pyetje, të cilën redaksia do e kërkojë nga bashkitë përkatëse pasi në tokën shqiptare kemi mbetje që rrezikojnë jetën e njeriut, por nuk dimë ku janë depozituar dhe kush i ka pranuar këto mbetje.

Jo më kot mafia në vendet si Napoli e ka zgjedhur këtë sektor sepse mungesa e institucioneve i lejon të groposi mbetjet duke rritur fitimet për shërbime të pakryera.

Shkatërrimi dhe eleminimi i mbetjeve nga kompania që i merr përsipër kërkon teknologji dhe shpenzime të larta financiare. Nëse i merrni këto mbeturina dhe i groposni në një vend ku nuk vjen askush, kompania rrit fitimet pasi nuk ka harxhuar kimikate, pajisje dhe ka shkurtuar shërbimin nga kapitali njerëzor.

Fitimet janë të dyanshme, kompanitë korruptojnë zyrtarët dhe të dyja palët hapin shtigjet për katastrofa mjedisore, të cilat pas disa vitesh shkatërrojnë ekosistemin duke e kthyer vendin të pabanueshëm dhe të rrezikshëm për njerëzit, kafshët dhe bimësinë.

Rasti i kompanisë “ECO RICIKLIM” është një rast i katastrofave mjedisore pasi spitalet nuk kanë zbatuar ligjin me kosto afatgjate për mjedisin dhe njerëzit.

Kush është Arbër Teqja?

I etiketuar shpesh si satelit i oligarkut Klodjan Allajbeu, Arbër Teqja është i njohur për Prokurorinë e Tiranës pasi në 2015 dyshohej se kishte përiftuar si administrator i kompanisë “Express” për skemën e mashtrimit me rimbursimin e barnave.

Arbër Teqja ka qënë pjesë e grupit që prodhonte receta false dhe merrte para publike nga FSDKSH-së. Mënyra se si Arbër Teqja ka dalë nga qelia dhe i ka shpëtuar dënimit është skandal më vete.

Arbër Teqja ka qënë administrator i kompanisë “FOREVER CONSTRUCTION”, e cila gjatë kësaj kohe ka qënë në pronësi të Klodian Allajbeut. Licencën për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme e ka marrë në 2019 sipas Ministris

Burimi: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *