Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve të Komunës së Tuzit që në 5 mars të votojnë të bashkuar për kandidatët e “Forumit Shqiptar”.
Me anë të një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se bashkimi i shqiptarëve në Tuz është në interes jo vetëm të tyre, por të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Më tej ai shprehu gjithashtu një vlerësim të madh për këtë komunitet dhe rolin e tyre të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar.
“Të dashur Banorë të Tuzit. Me këtë mesazh miqësor, së pari dua t’ju përshëndes ju përzemërsisht kudo që jeni. Gjithashtu dua edhe njëherë të shpreh vlerësimin tim më të madh për ju, rolin tuaj të kahershëm, shumë të rëndësishëm në historinë e kombit tonë. Me vizionin tuaj ju arritët të shndërronit Tuzin në Komunë. Kjo ishte një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët kudo ku janë.
PD ka pasur dhe ka marrëdhënie shumë të mira me forcat politike shqiptare kudo që janë. Në emër të PD-së, me rastin e zgjedhjeve të 5 marsit, unë ftoj të gjithë banorët e Tuzit, kudo ku ndodhen, të bashkojnë votën e tyre në zgjedhjet për kandidatët e Forumit shqiptar. Në këtë mënyrë ju keni votuar për Tuzin, për të ardhmen dhe unë kam bindjen se bashkimi juaj do të jetë në interes të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Berisha.