Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se kreu i qeverisë Edi Rama bashkë me ministrat Belinda Balluku dhe Damian Gjiknuri para saj kanë blerë energjinë lirë dhe e kanë shitur atë më shtrenjtë te qytetarët.
Në një takim me strukturat drejtuese të degëve 1, 3 dhe 4 të Tiranës, Berisha u shpreh se qytetarët paguajnë 90 mijë euro qira çdo ditë për ‘fantazmat’ në Gjirin e Vlorës, të cilët sipas tij janë kontraktuar pa tender dhe pa garë të hapur.
“E ka shndërruar drejtësinë në një seksion të PS. Qytetarët shqiptarë nuk kanë sistem drejtësie. Ai që pret një gjyq në një magazinë që ka 136 mijë dosje. Ai e ka të kotë. Ai duhet të shesë gjysmën e atyre që ka për të afruar datën e gjyqit. Pale për ta fituar. Vetëm revolucioni është përgjigja që ne duhet t’i japim këtij regjimi. Asgjë nuk duhet të na dekurajojë ne. Shqiptarët të votojnë të lirë. Por ky qëllim realizohet kur ky vend të mos ketë më stabiliret deri në ditën kur të votojnë të lirë shqiptarët. Jemi ngritur në këmbë në kushtet më të vështira.
Ata të cilët ishin parashikuar të ndihmonin shqiptarët kundër korrupsionit u shndërruan në gjeneratorë të korrupsionit në Shqipëri. Askush nuk ka ndihmuar Shqipërinë aq sa Agjencia Amerikane e Ndihmës. Merrni sot prokurimet. Të gjitha fitohen me 99%. Shumë thjeshtë. Sot çmimet caktohen. Do vish me këtë çmim më të shtrenjtë se kosto dhe do ndajmë paratë. KLSH, çfarë gjeti? Digat gjigante. Të tre digat Koman, Fier, Vau i Dejës ishin zbrazur duke shitur me çmimin më të ulët. E gjithë energjia u shitej matrapazëve qeveritarë të cilët e blinin lirë dhe e shisnin dy-tre herë më shtrenjtë dhe ndanin paratë me Belindën, me Damianin, me Edi Ramën, me hajdutë si këta.
Asnjë kW/h nuk ka pasur nevojë të blejë Shqipëria këto vite. Strategjia jonë e HEC-eve dha rezultate të shkëlqyera. Këta shit lir dhe rishit për veten e tyre. Këta nuk kanë asgjë me ju. Këta qytetarin e kanë për ta vjedhur. I dini ato fantazmat në Gjirin e Vlorës. I kontrakton dhe i firmos pa tender Edi Rama dhe Belinda Balluku. Sa paguhet thoni ju? 90 mijë euro çdo ditë qiraja. Në dy vite llogariteni vetë sa do paguajmë”, deklaroi Berisha.