Plani Evropian ka qenë i shumëpërfolur kohëve të fundit, si propozim për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Bashkimi Evropian e ka publikuar për herën e parë këtë dokument, i cili u dakordua nga palët por nuk u nënshkrua.
Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia parashihet që të shkëmbejnë misionet e përhershme.
Kështu thotë pika e 8 e këtij plani.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Bazuar në këtë marrëveshje gjithashtu parashihet edhe angazhimi i palëve në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në ekonomi.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.