‘Arrest shtëpie’ për oficeren e Policisë Gjyqësore, ja për çfarë akuzohet (Emri)

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar oficeren e Policisë Gjyqësore në Tiranë, e cila akuzohet për marrje ryshfeti. 47-vjeçarja Arta Nazifi punonte pranë Krimit Ekonomik dhe Financiar. Ajo dyshohet se ka marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit se do t’i lehtësonte pozitat penale personave që hetonte. Gjykata ka caktuar për të masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.

Njoftimi:

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësen e policisë A.N., me detyrë Specialiste në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Caktimi i masës u bë pasi Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kreu hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga hetimet është krijuar dyshimi i arsyeshëm se 47-vjeçarja, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, ka kërkuar e marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *