Shqipëria do të mbajë këtë vit Samitin e Procesit të Berlinit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi që u mbajt ditën e djeshme. Kreu i shtetit nuk dha datë por tha se periudha më e mundshme është vjeshta.
“Kemi parë se si më në fund Bashkimi Evropian është bërë më i ndjeshëm për rajonin, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut hapën negociata, Kosova mori një datë për liberalizimin e vizave, Bosnja mori statusin kandidat apo ashtu si u mbajt për herë të parë një samit i BE në Tiranë apo në Mal të Zi një tjetër samit. Të gjitha këto janë pozitive por BE është një korsi e përbashkët. Unë dëshiroj ta falënderoj Kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë për të gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falënderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në qendër këtu në Mal të Zi, ndërkohë që procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të vjeshtës, data do të përcaktohet në takimin që do të kem me kancelarin Scholtz së shpejti në Berlin”, tha Rama.
Një deklaratë e tillë lë të kuptohet se Rama po stepet përpara Procesit të Berlinit, i inicuar nga Gjermania prej vitesh me qëllim lehtësimin e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vitet e fundit, SHBA dhe BE kanë vendosur kushte të prera për funksionimin e nismës së përbashkët të bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur”, e inicuar nga vetë Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kushtet janë: pjesëmarrje të gjitha shteteve të BP dhe funksionalitet sipas rregullave të BE. Nuk dihet nëse Rama ka pasur presion nga Scholz për të pranuar mbajtjen e këtij samiti në Tiranë apo ka qenë vetë vullneti i kryeministrit tonë për të treguar gadishmëri dhe përulje ndaj Berlinit e Brukselit.
Zbardhen marrëveshjet që u firmosën në Podgoricë
Përveç se folën për Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit, nga Podgorica ku u zhvillua mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Mali i zi, u firmosën dhe disa marrëveshje. Ata kanë firmosur marrëveshjet e pikës së re ndërkufitare dhe ndërtimin e urës mbi lumen Buna. Ndërkohë që një memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë është firmosur nga Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i investimeve kapitale në Mal të Zi, Ervin Ibrahimoviç. Një marrëveshje për peshkimin në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës u nënshkrua nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe homologu i saj Vlladimir Jokoviç. Gjithashtu nga këta të dy është firmosur marrëveshja në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve. Një tjetër marrëveshje është për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes sociale është firmosur nga Delina Ibrahimi dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore malazee Admir Adroviç. Një memorandum bashkëpunimi është firmosur edhe në fushën e arsimit. Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja për Rininë dhe Fëmijet Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë në Mal të Zi Vasilije Llallosheviç. Në ceremoni u firmos gjithashtu programi i bashkëpunimit kulturor midis Elva Margariti dhe homologut malazez. Gjithashtu dy palët kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic). Në fund është firmosur edhe memorandumi i bashkëpunimit midis dy ministrive të shëndetit. Firmosja është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Orgeta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekiç.