Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se mbrëmja e djeshme ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm drejt njohjes së ndërsjelltë dhe integrimit europian për të dy vendet. Më tej ai përgëzoi kryeministrin Kurti për qëndrimin e tij gjatë takimit dhe shtoi se rruga e rajonit është drejt Evropës dhe jo në “Ballkanin e Hapur”.
“Mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjelltë, paqes dhe integrimit europian të Kosovës dhe Serbisë. Teksti zyrtar i marrëveshjes pati elemente që meritojnë vlerësim pozitiv, përderisa palët zotohen që të udhëhiqen nga synimet e parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për barazinë sovrane të Shteteve, respektimin e Pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, si dhe të Drejtën për Vetëvendosje.
E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv. Shpresoj që edhe Presidenti i Serbisë ta gjejë guximin e të nënshkruajë sa më shpejt, sepse koha kurrë nuk mund të kthehet pas. E ardhmja e rajonit tonë nuk është te skemat dhe taktikat si puna e “Ballkanit të Hapur”, as te “tërheqjet e veshëve” por te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin europian dhe i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin”, skruan Meta.