Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar McGonigal dhe Edi Rama e kanë vendin në burg.
Gjatë një takimi me strukturat drejtuese të degëve të Tiranës, Berisha tha se afera “McGonigal” është shumë e rëndë dhe sipas tij asnjë vend në botë nuk do e kishte toleruar. Më tej ai shtoi se McGonigal dhe Rama përdornin pushtetin e SHBA-ve për të vënë gjoba ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sipas Berishës, nëse qytetarët nuk reagojnë tani, do ju duken lule këto që po bën Edi Rama, në krahasim me ato që do të bëjë.
“Aty ku s’ka drejtësi, ka vetëgjyqësi. Nuk ka të drejta njerëzore. Kjo nuk do të thotë as të shkojmë në vetëgjyqësi, as të dorëzohemi. Nuk është rrugë e thjeshtë, por ju garantoj se tjetër nuk ka. Ne jemi të vendosur të mos dorëzohemi kurrë. Me mijëra e mijëra largohen nga Shqipëria. Ata janë kryesisht kundërshtarë të këtij regjimi dhe kjo e bën detyrën tonë më të vështirë, por jo të pamundur. Kjo do të thotë se secili prej nesh ka një detyrë shumë më të madhe të bëjmë gjithçka për të përmbysur këtë regjim. Sot ne largohemi nga Shqipëria sepse realisht janë në gjendje dëshpërimi dhe varfërimi.
Ka dy lloje varfërish. Ka një varfëri në të cilën ne ishim në vitin 92 kujt i kujtohet, varfëria më ekstreme, por ishte në pakësim dhe në vitet 94 dhe 97 popullata filloi të rritej dhe njerëzit besonin se do të dilnin nga varfëria. E njëjta gjë edhe në 2007. Sot ka një varfëri të frikshme që shtohet çdo ditë dhe ka një shkak themelor, vjedhjen nga Rama dhe banda e tij. KLSH konstaton se në 9 muaj janë vjedhur dhe shpërdoruar 122 miliard lekë. Këto mjaftojnë për të rritur me 130 % të gjitha rrogat në Shqipëri. Rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten, por për shkak të inflacionit ato bëhen më pak të vlefshme. Kjo pasi njeriu që udhëton 137 herë me charter nuk mundet të qajë hallin e atij që numëron paratë për vaktet e bukës. Ose të atij që i dridhet dora kur fëmija i kërkon një libër apo dhuratë.
Ai i cili ulet me 10 mijë dollarë darkën, sigurisht që nuk mund t’ja dijë atij që nuk ka vaktin e darkës. Me rrogën tënde asnjë kryeministri, as presidentit të SHBA-së nuk do ia arrinte të paguante një darkë 10 mijë euro. Pra në këtë mënyrë ne varfërohemi çdo herë e më shumë dhe pasuritë publike shkojnë të gjitha për pasurimin e qeveritarëve të klientelës apo oligarkëve të tyre. Rama si asnjë kryeministër tjetër në histori kontrakton vrasës me pagesë për opozitën shqiptare. Për të vrarë pluralizmin e demokracinë. Historia Rama-McGonigal është më e turpshmja e më kriminalja dhe ju garantoj juve se nuk mund të ketë komb tjetër në botë që do e toleronte një skandal të tillë. Nëse rrimë duarkryq ne i bëjmë vendit shërbimin më të keq.
McGonigal e ka vendin në burg, Edi Rama pas tij. Jo vetëm paguan paratë dhe i angazhon kundër opozitës, por vazhdon bashkëpunimin me të në një kohë kur ai priste gjoba në Tiranë, gjobiste biznesmenë dhe përdorte pushtetin e SHBA-së për të terrorizuar e për të marrë peng qytetarët shqiptarë. Me dy mafiozët e Ramës, Duçkën e Nezën, ata vendosën dhjetëra gjoba. McGonigal përcaktonte se kush do merrte liçencën dhe kush nuk do e merrte. Duhet të flasim, përndryshe të këqijat që ai ka bërë do harrohen në krahasim me ato që do ju bëjë shqiptarëve. Do të duken lule këto”, tha Berisha.