“Nuk tregonte as emrin”/ Aksidenti masiv te ‘Shallvaret’, specialisti: Shoferi ishte në shok post-traumatik

Shoferi i autobusit i cili një ditë më parë shkaktoi aksidentin masiv te ‘Shallvaret’, ku mbetën të plagosur 9 persona, u arrestua mbrëmjen e djeshme.

Pamjet filmike nga kënde të ndryshme, tregojnë se shoferi Agron Xhafa devijon nga rruga e tij dhe merr para makinat e tjera. I ftuar në studion e Klan News, specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka tha se aktualisht “grupi hetimor po analizon të gjitha provat e nevojshme për të dalë në një konkluzion nëse kemi të bëjmë me një humbje të vetëdijes, gjendjes psikofizike të drejtuesit të mjetit, apo kemi të bëjmë me një anomali teknike të automjetit”.

Baka tregon se ishte ai personi i parë që pati kontakt me shoferin e autobusit. Specialisti i policisë shprehet se 63-vjeçari ishte në gjendje shoku, aq sa nuk ishte në gjendje të jepte emrin e tij dhe se u kthjellua pasi kishte mbërritur në spital.

“Unë mund t’ju konfirmoj që duke qenë se kam mbërritur shumë shpejt në vendngjarje dhe kam marrë kontakt me drejtuesin e mjetit, mund t’ju konfirmoj që në momentin e parë që kam marrë kontakt, kam konstatuar që ai ka qenë në një shok post-traumatik si pasojë e aksidentit, ku zotëria në fjalë nuk komunikonte, nuk jepte as gjeneralitetet e emrit të vet kur e intervistoja, nuk më jepte as a kishte nevojë për ndihmë mjekësore apo jo. Pra le të themi që ishte në një shok total dhe këtë e kam konstatuar vetë, deri në momentin që kemi bërë të mundur transportimin në ambientet e spitalit, ku aty më vonë është qartësuar, kthjelluar dhe ka filluar të sqarojë rrethanat për aq sa ai mbante mend. Kur realisht nuk është se ka deklaruar ndonjë gjë shumë të madhe sepse ka deklaruar që nuk mban mend se çfarë ka ndodhur, vetëm kur është bërë koshient në spital dhe kërkonte informacion më të detajuar për të ditur rrethanat se çfarë ka ndodhur”.

Pasagjerët që ndodheshin në autobus kanë dhënë versione të ndryshme. Disa janë shprehur për hetuesit se nuk kanë vënë re asgjë që të tregonte probleme shëndetësore tek shoferi, të tjerë se e kanë parë me djersë të ftohta.

“Ka deklarata kontradiktore. Kemi të bëjmë me deklarata ku dikush shprehet që nuk ka parë. Kemi të bëjmë me deklarata ku shprehen që e kanë parë drejtuesin e mjetit duke qenë në djersë të ftohta dhe i pavetëdijshëm. Këto ngelen për t’u verifikuar sepse duhen administruar të gjitha provat për të arritur në një konkluzion. Është herët për të përcaktuar se cili është shkaktari determinant në këtë aksident”, shton Baka.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *