Emigrantët paguan nga 8 mijë euro për ‘udhëtimin e vdekjes’ drejt Italisë

Ekipet e shpëtimit nxorën më shumë trupa nga deti më 28 shkurt, duke bërë që numri i viktimave në tragjedinë e fundit me migrantë në Itali të arrijë në 65. Prokurorët janë në proces të identifikimit të kontrabandistëve të dyshuar, që supozohet se kanë marrë 8.000 euro për çdo person që ka ndërmarrë “udhëtimin e vdekjes” nga Turqia për në Itali.

Autoritetet i kanë dhënë më shumë kohë procesit të identifikimit të trupave, pasi familjarët dhe miqtë kanë arritur në qytetin Krotone të Kalabrisë, me shpresën që të gjejnë më të dashurit e tyre, disa prej të cilëve janë nga Afganistani.

“Po kërkoj tezen time dhe tre fëmijët e saj”, tha Aladdin Mohibzada, që shtoi se ai ka vozitur 25 orë nga Gjermania për të arritur te morgu i improvizuar në një stadium sportiv. Ai tha se kishte kuptuar se tezja dhe dy fëmijët e saj kanë vdekur, por fëmija tjetër 5 vjeç ka shpëtuar dhe është duke u strehuar në një qendër për të mitur.

“Ne po shikojmë për mundësitë që t’i dërgojmë trupat e pajetë në Afganistan, pasi trupat janë këtu”, tha ai për Associated Press teksa po qëndronte jashtë morgut. Por, ai u ankua se ka mungesë të informacioneve, pasi autoritetet po përpiqen që të merren me këtë tragjedi. “Ne jemi të pashpresë. Nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë”.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *