Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku priti në një takim Ambasadorin e Brazilit në vendin tonë, Sh. T. Z. João Tabajara De Oliveira Júnior.
Në fokus të diskutimeve ishte ngritja e urave të reja të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale të Brazilit, si dhe forcimi i atyre ekzistuese, për të goditur fenomenet kriminale që prekin të dyja vendet, si dhe për të vënë në pranga shtetasit e shpallur në kërkim.
Drejtori i Përgjithshëm, Ambasadori dhe Zv/ambasadori u dakordësuan rreth vendosjes së pikave të kontaktit mes dy agjencive ligjzbatuese, caktimit të një oficeri ndërlidhës pranë Ambasadës së Brazilit, si dhe për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Ambasadori i Brazilit shprehu vlerësim për qasjen e re të Policisë së Shtetit në raport me partnerët ndërkombëtar, si dhe angazhim e mbështetje të plotë për të ofruar asistencë logjistike, profesionale dhe akademike për punonjësit e Policisë.