E konsideronte dikur si “klonin e Trumpit” por sot Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden, ka qenë i detyruar që t’i shtrëngojë dorën me mjaftë përzemërsi Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
Sipas burimeve të CNN, nga takimi midis dy liderëve pritet të diskutohet hapja e udhëtimeve midis SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe heqja e kufizimeve që ishin vendosur.
Biden dhe Johnson pritet gjithashtu të bien dakord për një Kartë të re Atlantike të modeluar në deklaratën historike të bërë nga Presidenti Franklin D. Roosevelt dhe Kryeministri, Winston Churchill, në vitin 1941 që përcakton qëllimet amerikane dhe britanike për botën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas këshilltarit të sigurimit kombëtar Jake Sullivan.
Gjatë udhëtimit të tij europian, do të ketë bisedime të nivelit të lartë me krerë të tjerë shtetesh perëndimorë dhe një takim me Presidentin rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.
Ndalesa e parë e presidentit Biden ishte në bazën ushtarake amerikane në “RAF Mildenhall” në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai iu drejtua forcave amerikane.
“Për të gjithë ju aviatorë dhe ushtarë, unë dua t’ju them, faleminderit. Ne ju detyrohemi. Ne jemi shumë krenarë për ju”,- tha Presidenti Biden.
President Biden i ka kërkuar Kryeministrit Johnson të mos lejojë që mosmarrëveshja për tregtinë pas “Brexit”, të ndikojë në procesin e paqes në Irlandën e Veriut.
Të dy udhëheqësit po zhvillojnë bisedimet e tyre të para, ballë për ballë në Cornwall në prag të samitit të “G7”.
Pjesa kryesore e vizitës së Presidentit amerikan në Britani, është pjesëmarrja në takimin e nivelit të lartë të G-7-ës, ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanada, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Ndërsa hipte në “Air Force One” për t’u larguar nga Uashingtoni, Presidenti Biden, tha se objektivi i tij për udhëtimin, ishte forcimi i lidhjeve me aleatët, duke “ia bërë të qartë Putinit dhe Kinës se, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, kanë marrëdhënie të ngushta”.
Presidenti Biden, i cili është me origjinë irlandeze, është gjithashtu i shqetësuar se Brexit-i mund të dëmtojë “Marrëveshjen e së Premtes së Mirë” të vitit 1998, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që solli paqen në Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe.
Sipas marrëveshjes së Brexit-it, Irlanda e Veriut mbetet palë në tregun e bashkuar të BE-së, megjithatë nuk është më pjesë e bllokut, që do të thotë se, duhet t’i nënshtrohet doganave. Administrata e Biden, do të sigurohet që të mos rrezikohet perspektiva për paqe.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/