Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me vrasjen e trefishtë që tronditi Tiranën ditën e sotme.
Begaj shprehet se këto lajme janë tërësisht të papranueshme dhe i bën thirrje organeve ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit.
“Lajmet makabre të ditës së sotme në Tiranë, ku tre gra janë vrarë e tre të tjera janë plagosur, janë tërësisht të papranueshme! I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave!
Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme.
Dënoj ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje dhe kërkoj që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”, shkruan Begaj.