“Opozita ka të drejtë që kërkon transparencë për McGonigal” Xhafaj: Kemi përgjegjësinë të…

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj gjatë fjalës së tij në Kuvend, ndryshe nga kolegët e tij të mazhornancës u shpreh se opozita ka të drejtë për të kërkuar transparencë për këtë çështje. Sipas tij dalja e të vërtetës i shërben edhe vetë pozitës

Xhafaj u shpreh se me këtë rast Partia Socialiste mund të reflektojë edhe për çështje si konflikti interesit dhe lobimi i partive politike.

“Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik. Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjera në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike”, u shpreh ish-Ministri i Brendshëm.

Pjesë nga fjala e Xhafajt: “Në SHBA dhe jo vetëm, çështja McGonigal është një temë me interes të gjerë publik. Debati atje është jo aq për akuzën dhe personin përkatës se sa e lidhur me institucionin në vetvete. Është marrë i pandehur një ish drejtues i nivelit të lartë të FBI, organizata simbol që për dekada ka qënë dhe mbetet modeli i vlerave të përkushtimit dhe besnikërisë në zbatimin e ligjit çka e ka bërë atë të jetë krenaria e atij vendi.

Opozita dhe jo vetëm, me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë.

Ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por gjykoj edhe në interesin tonë politik.

Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjëra në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike etj të tilla.

Duke thënë këtë sigurisht që nuk bie fare dakort me një pjesë të opozitës me qëllimet e ndjekura prej tyre në këtë debat publik dhe ca më keq me gjuhën e përdorur prej tyre, gjuhë që ka kohë që është shpallur nongrata nga publiku me mosbështetjen e hapur ndaj saj. Të dyja opozitat tona si ajo e zyrave dhe ajo e vulës kanë të njëjtin qëllim, sulmin ndaj Kryeministrit. Ajo e foltores, në traditën e vetë, kalon çdo cak të spekullimit politik.

Personalisht bëj pjesë në ata që besojnë se veçanërisht kjo frymë antiamerikane është e qëllimshme dhe e sponsorizuar.

E vërteta në fakt është se unë nuk e kam takuar në asnjë rast as si Ministër në detyrë dhe as pas largimit prej saj z.McGonigall.

Kam pasur rast të shkoj për disa vizita zyrtare në SHBA dhe të takoj ish eprorë të tij disa drejtues në detyrë e ish drejtues nga më të lartët në FBI si edhe në Departamentin e Drejtësisë dhe DEA, me një pjesë të të cilëve ruaj ende komunimin, por me z.McGonigall në asnjë rast nuk kam pasur asnjë takim apo komunikim, as me zë dhe as me figurë.

Natyrisht nëse do ishin krijuar rrethanat, unë do ta kisha takuar z.McGonigall. Ai nuk ishtë një shkelës i ligjit atëhere (dhe në fakt derisa drejtësia të thotë fjalën e vetë ai nuk është një i tillë as sot), por një funksionar i rëndësishëm i një organizate të rëndësishme sikurse është FBI.

Reforma në drejtësi, e posaçërisht SPAK ju ka prishuar gjumin disa njerëzve në këtë sallë si dhe shumë të tjerëve jashtë saj. Mbrojtja e hapur, e fortë dhe publike e SHBA, por dhe BE është pengesa kryesore e pakëpërcyeshme për mëkatarët që duan ta shantazhojnë, ta deformojnë, ta demotivojnë dhe frenojnë forcën vepruese të SPAK.

Unë vazhdoj të besoj te institucionet e reja të drejtësisë, te një pjesë e mirë e shëndetshme gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe veçanërisht gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve që me dëshirë janë bërë pjesë e SPAK, institucioni ku nga qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë është investuar shumë mbështetje, shpresë dhe besim.

Gjithsesi në fund, dua ta mbyll duke ju kujtuar disave në këtë sallë dy shprehje të mençura popullore, mjaft kuptimplote në këto momente: “Mos kërko ti bësh gropën tjetrit se mund të biesh vet brenda” dhe se “Kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *