Pas vrasjes së trefishtë në Tiranë një ditë më parë ku Dan Hutra ekzekutoi me armë tre gra dhe plagosi tre të tjera, sot po zhvillohet një protestë para Ministrisë së Drejtësisë.
Me thirrjet ‘Drejtësi dhe Siguri për vajzat dhe gratë’ një grup protestuesish ngritën një sërë pyetjesh se pse Dan Hutra lihej i lirë, pas gjithë këtyre krimeve që kishte bërë.
“Dje ka ndodhur një krim i tmerrshëm. 3 gra janë vrarë nga dora e një burri dhe 3 janë plagosur. Ato nuk do kërkojnë më që policia të kapë vrasësin apo të bëhet reforma në drejtësi. Sot ne jemi përballur me një vrasës që ka kryer një krim që mund të shmangej. Ai ka vrarë gruan e parë dhe ka përdhunuar një tjetër, dhe policia nuk e di që ky është i rrezikshëm. Si ka mundësi që institucionet kanë dështuar për të mbrojtur jetën e këtyre grave? Duhet të flasim që e kemi normalizuar dhunën, femicidin e kemi konsideruar normal. Nuk është krim pasioni por vrasje e gruas. Ky është momenti të flasim më shumë”, u shpreh një nga protestueset.
“Lulet e Shën Valentinit, 8 Marsit po na i kthejnë në lule mortesh. O gra, po na vrasin. Mjeti i vetëm duket se është vetëmbrojtja. Në vend të telefonave, hajde të qarkullojmë me thika në brez”, tha një tjetër.