Deputeti i PD-së, Ervin Salianji deklaroi se kryeministri Edi Rama la fushën e betejës dhe nuk dha asnjë përgjigje lidhur me pyetjet që opozita kishte parashtruar për çështjen “McGonigal”.
I ftuar në emisionin “Open”, Salianji tha se është e nevojshme që të ngrihet një Komision Hetimor, si të vetmen mënyrë për ta detyruar, Edi Ramën që të përgjigjet lidhur me çështjen McGonigal.
“Siç e panë të gjithë, sot nuk është se kishte mocion me debat, Rama erdhi dhe lexoi atë që i kishin dhënë të shkuar. Nuk doli nga leximi i letrës sidomos në raport me akuzat e FBI, madje nuk lexonte aktakuzën e plotë, ato që i interesonin. Pse përmendet kryeministri i Shqipërisë 14 herë?!
Gjithë sulmet dhe përpjekjet që bënte sot për të vendosur një kundërshtim mes tij dhe opozitës, janë faktet e publikuara nga mediat dhe drejtësia botërore. Nuk tha asgjë për interesat financiare që thuhet në aktakuzë. Nuk tha si është vendosur në kontakt me McGonigal, apo pse nuk janë informuar institucionet për këto takime.Ne nuk mund t’i jepnim asnjë lloj elementi një kryeministri që foli në një institucion ku regjistrohet deklarimi i tij, ndaj dhe ai ishte aq i kujdesshëm.
Aty pati debat me qytetarët shqiptar, sepse u pa që kryeministri e la betejën. Ne nuk mund ta linim fushën bosh, dhe meqë iku kryeministri të iknim edhe ne. Ndaj ne kërkojmë komision hetimor, sepse është i detyruar do apo nuk do, ndërsa në mocionin me debat ai mendon se ka dhënë përgjigje, ne mendojmë se nuk ka”, tha Salianji.