Për rreth 1 orë e gjysmë, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ u zhvillua protesta kombëtare e thirrur nga opozita, ku fatmirësisht nuk pati asnjë incident.
Padyshim që momentet më pikate të kësaj proteste ishte fjalimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe atij të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ku ndonëse moti nuk ishte në favor të protestuesve, pasi nisën reshjet e shiut, të gjithë pjesëmarrësit dhanë mesazhet e tyre.
Berisha në fjalimin e tij dha edhe një mesazh për qytetarët që janë skeptikë ndaj partive politike, duke thënë se indiferenca vret akoma më shumë dhe se duhet të dalin në shesh për të marrë në dorë fatet e vendit.
“Bashkohuni me ne, revolucioni nuk është i Sali Berishës po i çdo shqiptari që do Shqipërinë. Një thirrje për të gjitha ato që i shohin forcat politike me mosbesim , i them se kanë shumë arsye për të qenë të zhgënjyer, por kurrë nuk mund të gjejnë arsye për të qenë indiferent. Nuk ka gjë më vrastare se indiferenca. Bashkohuni me ne të hedhim këtë kalbësirë që po rrënon, kombin tonë. Ju nuk jeni shërbëtorë të një organizate kriminale që përfaqësohet nga Edi Rama, por të qytetarëve dhe mbaheni me mundin e taksat e tyre. Sot përjetoni në terror digjital e të gjithanshëm. Edi Rama u ka shndërruar në një qenie virtuale. bashkohuni me ne në këtë revolucion, të shpejtojmë Shqipërinë prej saj. Revolucioni ynë ka qëllim t’i japë goditjen varfërisë. Ne do të dalim fitimtarë nga kjo betejë, por jo vetëm varfërinë, ne duhet të luftojmë tiraninë. Ai synon t’i japë goditje fatale pluralizmit, por revolucioni ynë do të fshijë nga faqja e dheut këdo që synon të cënojë pluralizmin”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Meta akuzoi Partinë Socialiste si një bandë mafioze që kërkonte të merrte dhe vulën e Partisë Demokratike.
“Jemi këtu se këtij të marri nuk i mjafton uzurpimi i PS që e shndërroi në një bandë plaçkitëse me deputetë që janë vetëm kartonë dhe nuk kanë asnjë bindje politike dhe asnjë kujtesë sa i takon të kaluarës. Kërkon të marrë edhe vulën e PD. Ky njeri me probleme të mëdha mendore, karakteriale, politike po e po, sot është në panikun e presioneve nga më mafioze nga ata që kërkojnë të rrëzojnë të gjitha kolonat e pluralizmit. Por sot ai është më i mjerë se këdo tjetër.. Shikoni çfarë ka bërë shoqërisë tonë, familjeve shqiptare duke i shkaktuar plagët më të rënda sociale. Këtij i duhet të vjedhë akoma më shumë. Por ne do të vazhdojmë rrugën tonë, protesta e zgjedhje. Në 14 maj do jemi këtu për të festuar fitoren e Belind Këlliçin”, pohoi Meta.
Ndërkohë, disa protestues i vendosën flakën dy manekinëve të veshur si të burgosur, me foto të kryeministrit Rama dhe atë të McGonigal.
Me sloganin “Shqipërisë i dalim Zot”, opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar nisi aksionin e saj pak pas orës 12:00. Berisha, bashkë me deputetë demokratë doli nga zyra e tij rreth orës 12:25, ndërsa iu bashkuan protestuesve në bulevard ku u vendos dhe himni kombëtar.
Protesta në fjalë vjen në një kohë kur politika në vend është përfshira në debate dhe përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës. Çështja “McGonigal” ashpërsoi më shumë tonet mes palëve. Duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe mungesë transparencë, opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor, kërkesë kjo që nuk është kundërshtuar dhe e konsideruar si absurde nga Rama.
Po ashtu këtë të premte pritet të jepet edhe vendimi për vulën e partisë opozitare më të madhe në vend, PD-së.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha sqaroi më herët se protesta nuk kishte aspak lidhje me këtë çështje, por po mbahej kundër rritjes së çmimeve, mungesës e transparencës nga qeveria, korrupsionit që ka përfshirë vendin, çështjen McGonigal.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit bllokoi disa rrugë, që prej orës 10:00, deri në përfundim të tubimit.
Rrugët ku është bllokuar qarkullimi janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.