Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Gjykatës për vulën e PD.
Në një deklaratë për mediat, mbrëmjen e sotme, Berisha deklaroi se ky vendim ishte paralajmëruar kohë më parë nga Edi Rama në parlamentin shqiptar dhe para ambasadorëve të huaj. Më tej ai shtoi se ka besim te demokratët të shqiptarë, ku theksoi se këta të fundit janë të vendosur që të mbrojnë pluralizimin politik në Shqipëri dhe PD.
“Sot në darkë Edi Rama komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likudimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Sot 3 gjykatës në një proces të pashembull kundër pluralizmit, lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës. Por sot gjithashtu jemi në një orë dhe një kohë të vërtetë, kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur që të mbrojnë pluralizimin politik në Shqipëri dhe PD. Vazhdimi i skenarit të filluar, me tradhëtarin e kombit McGonigal, sot konkludoi me një vendim të pashembullt në historinë e Europës dhe të botës. Dua të informoj shqiptarët se ata të cilët kërkuan të shpalleshin palë i thanë gjykatës se nuk kanë qenë palë në proces. Por ata lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës. Anuluan 3 ditë para skadimit të afatit për regjistrimin në zgjedhje, një vendim legjitim”, deklaroi Berisha.