Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka cilësuar të komanduar vendimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për të rikthyer për gjykim në shkallën e parë vulën e PD.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Topalli thekson se me vendimin e sotëm, u tregua qartë se kryetarët e partive në Shqipëri i cakton Edi Rama. Sipas saj ndaj gjykatës ka pasur një presion të madh dhe provokim nga ana e maxhorancës.
“Nga sot, kryetarët e partive i cakton Kryetari i Qeverisë përmes vendimeve të Gjykatave të tij. Vendimi i sotëm është vendimi më i Zi politik, i marrë nën petkun e drejtësisë, i ngjashëm në thelb me vendimin e gjykatës në vitin 1946, që vendosi pushkatimin e deputetëve të opozitës.
Presioni i pushtetit mbi Gjykatën edhe brenda sallës është provokimi më i rëndë i një opozite që përpiqet të ruaj pluralizmin në kushte shumë komplekse. Nga Sot, opozitën e emëron qeveria. Praktikisht, sot sistemi i pluralizmit është në udhëkryqin e vet më të rrezikshëm. Dhuna brutale e vendimit të çmendur të tre gjykatësve qafë përkulur ka vënë në pikëpyetje çdo gjë që kemi arritur në këta 3 dekada.
Vendimi në fakt ishte paralajmëruar nga pushteti në qeveri dhe Parlament, për turpin e tyre e të atyre që marrin përsipër këta veprime që mund të çojnë në përplasje të pakontrolluara të njerëzve. Nga sot, pluralizmi shqiptar rrezikon ekzistencën”, shkruan Topalli.