Trajneri Mirel Josa kishte preferuar që ta niste me brazilianin nga minuta e parë ndaj Partizanit, ndërsa sulmuesi i rikthyer më bujë në Shkodër, Bekim Balaj, qëndroi në stol dhe u fut në fushë në minutën e 75-të, pikërisht kur rezultati ishte 3-1 në favor të kuqebluve.
Kaina bëri dy lëvizje të zgjuara në zonë, duke treguar nuhatjen e një sulmuesi goli. Nga ana tjetër, edhe pse cilësitë e Balajt dihen, ai ende nuk është zhbllokuar në nëntë ndeshje që ka luajtur deri më tani mes kampionatit dhe Kupës.
Gjasat janë që Josa të vazhdojë të besojë te Kaina edhe në takimin që do të zhvillohet të hënën në Durrës. Dopieta e brazilianit ka futur në “hall” trajnerin, i cili në fakt me zgjedhjet e tij ka dashur të largojë edhe presionin që ka pasur Balaj në këtë periudhë.