Intervista/Behgjet Pacolli: Nuk besoj që Serbia do ta njoh Kosovën. BE duhet të kuptojë se Vuçiç do të vijoj të jetë në anën e Rusisë

 

Nga Klara Dervishi

Edhe kur pritej që Kosova dhe Serbia të firmosnin nën trysni dhe „kërcënime” reale  planin e BE-së, për habinë e të gjithëve ai që nuk donte ta firmoste këtë dokument u bë presidenti Serb, i cili mesa duket kërkon të arrijë shumë më shumë nga sa diplomacia europiane i ka servirur në pjatën e gatshme të gatuar me shumë kujdes për të mos e zemëruar Vuçiç-in. Në fakt u tha që ishte edhe kryeministri Kosovar Albin Kurti ai që ka këmbngulur për të vënë në diskutim të madh pikën 10 të këtij Plani ku flitet për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Të gjithë në Kosovë e dinë që Kurti ashtu si kryeministrat paraardhës që kanë pasur statusin e negociatorit në tavolinën me serbët përballë, mund të gabojnë, mund të jenë të “shantazhuar” por askush nuk mund ta besoj se ata mund të jenë aty për të tradhëtuar vendin e tyre. Madje këtë e di mirë edhe opozita në Kosovë e cila e nxitur thjesht nga ambicja për pushtet e artikulon sot Kurtin si tradhëtar.

Kush më shumë sesa një shqiptar do të kishte bërë atë që po bën Kurti sot?

Edhe tani pozita politike por edhe historike e Albin Kurtit është në një pozicion të vështirë që si qënie humane mund ta çonte atë drejt një akti si dorëheqja, por që si politikan i mandatuar nga populli nuk mund ta braktisë pikërisht tani “anijen” e cila vijon të bëj përpjekje për të ecur drejt intergimit europian. Shumë të papërgjegjshëm edhe në Kosovë mund të fërkonin duart nëse të ndonjë hap i Albin Kurtit thjesht si qënie humane.

Politika në Kosovë por jo vetëm duhet të jenë në anën e Kurtit jo për të miratuar çdo hap të tij por për të bërë një debat që do ta ndihmonte çështjen dhe interesin parësor të Kosovës. Politika në Kosovë duket se për shkak të ambicjes për pushtet e ka harruar se armiku ose kundërhstari I tyre më i madh është Vuçiç dhe jo Kurti.

Por Kosova ka ende njerëz dhe politikanë të përgjegjshëm edhe në anën e kundërt politike me Albin Kurtin punojnë për njohje të reja dhe i bëjën thirrje Albin Kurtit të bëj më të mirën për Kosovën.

Unë kam biseduar në një intervistë të gjatë me Kryetarin e Partisë Aleanca Kosova e Re, dhe ish presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli i cili mbetet në këndvështrimin tim, politikani më koherent, më bashkëpunues pavarësisht nëse është apo jo në kahun e pushtetit. Rrallë mund të gjesh në Ballkan politikanë që edhe në pozitat e një opozitari japin këshilla dhe presin që në planin kombëtar Kosova të ecë përpara.

Zoti Pacolli, faleminderit që gjetët kohë të jeni sërish me mua në intervistë.

1.Shumë zhurmë për asgjë edhe pse nuk mund të jetë plotësisht rasti i takimit të kësaj të hëne ne 27 shkurt ku të gjithë pritën që do kishim firmosje. Fakti që ishte Vuçiç ai që nuk firmosi  a shton garancinë se Kosova merr më shumë nga kjo marrëveshje?

Ka shumë te panjohura ende çka ka ndodhur në takimin brenda, ajo qe shihet është që ka një shpallje nga ana e BE-së që palët e pranojnë propozimin 11 pikësh. Mbetet të shihet se si do të lëvizet tutje në javët e ardhshme me atë që po quhet plani implementues ku pres të prehen shpatat. Kosova duhet të ketë kujdes në këtë dhe sigurisht ne kemi dallime politike me Kryeministrin dhe këtë qeveri në shumë fusha, këto dallime nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesit kombëtar të Kosovës. Çka i sygjeroj Kryeministrit është që të ketë kujdes në pikën 7 të këtij plani sepse ajo mund të përcaktoj telashet e ardhshme në 10 e më shumë vite për Kosovën.

  1. Keni deklaruar se ajo që pritet të fitojë do jetë Serbia. I mbeteni ende këtij mendimi edhe pse marrëveshja nuk u firmos dhe të paktën si tha kryeministri Kurti ishte Vuçiç ai që nuk ishte gati të firmoste pra Kosova shkoi e sigurt për të firmosur, të paktën kështu duket?

Nuk është e rëndësishme se a nënshkruhet sot a dje a pasnesër. Kosova do të marrë përsipër obligimin e pashmangshëm për të jetësuar “Zajednicën” në këmbim të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Me fjalë të tjera, situata do të dalë si një vit më parë: Nga kjo marrëveshje do të përfitojë Serbia, por edhe Kosova, dikush më shumë e dikush më pak. Serbia në mënyrë të pashmangshme fiton “Zajednicën” dhe do të sigurojë rrugën e saj drejt BE-së me njëfarë “vetëngushëllimi” për t’u distancuar nga Rusia, por jo për t’u ndarë. Kosova, në anën tjetër, “fiton” kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe. Kosova nuk merr njohje nga Serbia, mund të përfitojë nga aderimet apo integrimet euroatlantike ku Rusia nuk ka prezencë (ndikim), si liberalizimi i vizave, Këshilli i Evropës etj  dhe ndoshta ndonjë njohje e ndonjë shteti anëtare e BE-së që ende nuk e ka njohur Kosovën.

  1. A është normale zoti Pacolli që të vijohet me politikën e faktit të kryer për shembull si në rastin kontret kur propozimi u bë publik pasi u diskutua mes palëve dhe kur presidenti serb nuk pranoi të firmoste? Pse nuk duhet dhe pse nuk u publikuan pikat më parë?

Në Kosovë ka një problem të cilin e ka krijuar vetë Kryeministri Kurti. Në diplomaci dhe negociata nuk ka shumë transparencë siq mendohet tek ne. Veprimet dhe diskutimet bëhen në mirëbesim deri sa vjen momenti që të bëhet publike. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu, përveç  që është krijuar klima të ketë pritshmëri që çdo gjë duhet bërë publike në procese të tilla. Politikanët duke qënë të zgjedhur marrin përgjegjësi dhe nëse kanë bërë mirë apo keq i mbetet elektoratit të përcaktoj mandej.

  1. Ndoshta serbët e kanë mandatuar presidentin e tyre të diskutoj e të përfitoj sa më shumë në biseidme por Kurtin se ka mandatuar kusht të vendosë mbi fatin dhe të ardhmen e Kosovës , pra për një marrëveshje që mund të vinte në pikëpyetje atë çfarë është arritur në këto vite bashkë me luftën?

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë që në dialog me Serbinë mandatin e ka Kryeministri, ai ka qeverinë legjitime të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe na pëlqen apo jo a është ai Kryeministër, ai ka mandatin e plotë të bëjë neogociata. I mbetet pastaj Kuvendit të vendos a ia aprovon apo jo marrëveshjen.

  1. Megjithatë zoti Pacolli nëse ju do ishit para pyetjes “mere ose lëre” në tavolinën e BE dhe SHBA çfarë do të kishti bërë në këtë rast, do rrezikonit të ardhmen integruese të Kosovës apo do pranonit ose “do ta merrnit” sipas parimit që po përdorin europianët me Kosovën dhe Serbinë?

Kosova duhet të kordinohet me aleatët e saj dhe të jetë e qartë në qellimet e veta. Nuk kam përshtypjen që këto të dyja janë arritur. Situata po vjen „merre ose lëre“ sepse në Veri kemi një gjendje të brishtë të sigurisë dhe ka pasur tensione që kanë qënë afër shpërthimit të konfliktit në muajt e ardhshëm. Është kjo aryseja që sot negociatorët ndërkombëtar detyrojnë të dyja palët të marrin ose të lënë marrëveshjen, e them sinqerisht, nuk e di që nëse nuk do të ishte “merre apo lëre” që do të kishim arritur ndonjë pajtim ndonjëherë. Në Ballkan nganjëherë diplomacia kështu funksionon dhe duhet të funksionojë fatkeqësisht.

  1. Në këto kushte Albin Kurti çfarë duhet të bëj?

Të bëjë më të mirën për vendin dhe të nxjerë një marrëveshje e cila nuk do t´ia nxijë jetën Kosovës në vitet e ardhshme.

  1. Megjithë zhurmën është bërë e qartë edhe nga BE se palët nuk kanë rënë dakord për njohje De Facto dhe këtu bëhet fjalë për Serbinë që s´pranon njohjen e Kosovës? A duhet të vijoj Kurti bisedimet kur kjo mbetet kështu pra kur nuk ka njohje “de fakto”?

BE është ndërmjetës dhe tentoi të mbajë qëndrim neutral, Kryeministri duhet të siguroj një tekst që nuk e vë në pikëpyetje statusin e Kosovës, pavarësinë e saj, dhe që mundëson integrimin e Kosovës në strukturat  euro-atlantike dhe në bashkësinë ndërkombëtare.

  1. Megjithatë BE këmbëngul se marrëveshja normalizon raportet midis dy vendeve Kosovës dhe Serbisë. Një normalizim marrëdhëniesh mund të jetë një rrugëtim drejt njohjes?

Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të mira dhe më paqësore që kanë sot. Ekonomia është peng i Politikës së konfliktit, nuk mund të ketë investime as ne Kosovë nëse vazhdohet me këtë klimë. Se çka do të dërgoj drejt njohjes mbetet të shihet, jam skeptik që do të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme, pra duhet të jemi gati për një status quo të re dhe të gjatë por e cila duhet të jetë më stabile dhe pa pengesa për rrugëtimin e Kosovës.

  1. Por është e çuditshme sesi SHBA thotë diçka tjetër pra përmend “njohje eventuale reciproke” por thotë se nuk duan të ndryshojnë propozimin europain dhe përdorin fjalën “eventualisht”,që të kuptohet të paktën si tha Eskobar se do donim që kjo të ndodhte në të ardhmen në Ballkan”. Duket sikur SHBA dhe BE janë larg në qëndrime ?

Kosova asnjëherë nuk duhet të heq dorë nga njohja. Nuk e di që në këto negociata njohja është vendosur si kërkesë nga ana e Kosovës, së paku nuk shihet që ka pasur ndonjë dialog të drejtpërdrejtë për këtë çështje, dhe më shumë ka qënë i orientuar në tekstin e propozimit Franko-Gjerman. Dhe nëse Kosova është ajo që nuk ka bërë mjaft që njohja të jetë si temë qëndrore e dialogut, nuk munden të tjerët të bëjnë ate. Është detyrë e Kosovës se sa e bindur është të kërkoj njohjen si qëllim final.

  1. Por neni 1 i propozimit europian thotë ndër të tjera që: Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. A është kjo një njohje De Facto?

Dokumentet e Kosovës i njeh sot Greqia, Slovakia, Rumania, Kina, dokumente dhe simbole kanë edhe entitetet jo vetëm shtetet, siç është Hong Kongu, Cook Islands apo Aruba. Pra i lihet palëve të interpretojnë këto nene si të dëshirojnë, edhe ky ambiguitet pres se do të sjell telashe të reja në të ardhmen ndërmjet të dyja vendeve.

 

  1. Po në fakt zoti Pacolli a mund të mbështet Kosova vetëm te perspektiva europiane pra të afrohet me qëndrimin e SHBA e most ë pranoj propozimin europian?

Kosova nuk ka asnjë rrugë tjetër përpos perspektivës Evropiane dhe këtu SHBA dhe BE janë të unifikuara.

  1. Zoti Pacolli çfarë prisnit ju personalisht si politikan me përvojë nga takimi i kësaj të hëne në Bruksel por që në fakt nuk u finalizua me marrëveshje. Domethënë a kishit ju një parashikim se çfarë mund të arrihej?

Pritshmëritë kanë qënë që do të ketë një nënshkrim. Ndodhi një pajtim i shpallur nga BE e cila po interpretohet në mënyra të ndryshme nga palët. Pres që të gjindet një marrëveshje sepse kam përshtypje pa marrëveshje kostot për Kosovën do të jenë më të mëdha sesa me një marrëveshje.

  1. Ndërkohë kundërshtari Vuçiç tha se “lufta” në Bruksel ishte e ashpër por e sukseshsme. Kjo mund të jetë dhe një shkëndijë e tij e para për të mos u ndëshkuar politikisht nga serbët e dyta për të ndëshkuar politikish Kurtin nga kosovarët?

Vuçiç dhe dramat e tij janë të njohura. Nuk kisha shpenzuar kohë në atë se çka thotë dhe çka bën. Kosova nuk duhet të shqetësohet çka bën Vuçiçi dhe Serbia, por se si koordinohet dhe pajtohet me aleatët e saj.

  1. Ai madje ka thënë se i mban premtimet se Kosova e Metohia do jenë pjesë e Serbisë. A duhet të vijoj të ulet Kurti përballë këtij njeriu që “de facto” i shpall luftë Kosovës?

Besoj u përgjigja më lartë për këtë fenomen të Vuçiçit.

  1. Por neni më problematik është pika 10 ku dukshëm bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe ku bën pjesë edhe detyrimi për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Pse nuk duhet pranuar Asociacioni zoti Pacolli qoftë edhe kur ai do jetë nën monitorimin e BE që ka thënë që nuk do lejojë bashkim e këtyre komunave me Serbinë?

Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare që nga koha e presidentit Ahtisari deri tek dialogu i Brukselit. Kosova ka një udhërrëfyes që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin. Kosova duhet në bazë të atij vendimi të ndërmarrë hapat e vet dhe të përgjigjet kërkesës së aleatëve. Nuk shoh problematikë në  këtë nen. E shoh problematike ngurtësinë e Kosovës për të gjetur një rrugëdalje nga situata në të cilën është.

  1. Megjithatë kjo pikë do të diskutohet sërish të paktën si është thënë në datën 18 Mars. A duhet dhe a mund ta shkëmbejë këtë pikë Kurti me një nen për njohjen reciproke që të paktën unë personalisht nuk besoj se do jetë një veprim që do ndërmeret të paktën sa të jetë Vuçiç president.

Unë nuk besoj që Serbia do të njoh Kosovën. Nuk po shoh që ka momentum ndërkombëtar për këtë, pra nuk ka presion, më së shumti për shkak të luftës në Ukrainë dhe të gjeopolitikës së re në Evropë të cilën Kosova ka dështuar te lexoj si duhet. Kosova duhet të siguroj një marrëveshje e cila e definon rrugëtimin e saj përkrah aleatëve të vet dhe daljen nga izolimi aktual. Nuk e di çka na duhet një marrëveshje pas 10 vitesh kur numri i popullsisë sonë është ulur për shkak të ikjes së të rinjve. Nëse një shtet nuk mundet të jetë në gjëndje të ofroj perspektivë për qytetarët e vet, e kotë është populizmi dhe beteja për patriota nëpër TV tona. Nuk do të kemi për kënd të bëjmë politikë nëse vazhdon ky trend.

 

  1. Megjithatë duhet të ishte normale që klasa politike të ishte e bashkuar në këtë moment dhe kur them këtë, kam parsysh që secili të përfaqësojë interesat e kosovarëve dhe jo të pushtetit si po akuzohet Kurti në këto ditë deri edhe te TRADHËTAR.

Gjuha tradhëtar është instaluar nga z. Kurti vet. Unë s´pajtohem me atë atëherë as sot me të tjerët që e përdorin. Në demokraci nuk ka tradhëtar e patriot, por ka vetëm përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe kompromise në rrugetimin politik. Kompromisi ka marrë një konatacion negativ tek ne por nëse s´jemi në gjendje të bëjmë kompromise nga jeta e përditshme deri tek qeshtjet me të medha, do jemi toksik si shoqëri dhe vend.

  1. Deklarata e kryeministrit Rama se kur këto dy vende Kosova dhe Serbia bëjnë debate BE duhet ti marë prej veshi që të gjejnë gjuhën?

Shqipëria dhe Kryeministri Rama janë përkahës të Kosovës. Shqipëria ka përgjegjësi jo vetëm kushtetuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, por edhe si anëtare e NATO-s është përgjegjëse me aleatët e tjerë për sigurinë e Kosovës dha ka trupa në Kosovë. Shpesh harrojmë që për herë të parë pas 110 vitesh nga themelimi i shtetit shqiptar në vitet e fundit Shqipëria ka pasur forca të saj të armatosura në territorin e Kosovës. Kjo tregon se sa shumë kemi ecur si komb e si shtete por shpesh harrohet kjo.

  1. Keni deklaruar pak më herët këtë javë se pritet që dy shtete të mëdha do ta njohin shpejt Kosovën?

Kam realizuar disa vizita në vende Afrikane në javët e fundit ku kam takuar Presidentët e disa vendeve dhe me të cilët kam biseduar për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ka lëvizje pozitive duke njohur pasaportat e Kosovës sepse kjo ka qënë tabu shkaku i mos-njohjes si shtet dhe me këtë këto vende kanë hapur rrugën për njohjen e pavarësisë dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. I mbetet autoriteteve të Kosovës të vendosin kontakt me këto vende dhe të realizojnë takimet për të vazhduar bisedat që do të çojnë drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Faleminderit zoti president

Behgjet Pacolli, ish president i Kosovës, kryetar i Partisë Aleanca Kosova e Re

4 Mars 2023,Kosovë

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *