6 pikat/ Zbardhet rezoluta e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rithemelimit

Këshilli Kombëtar i Rithemelimit në mbledhjen e mbajtur këtë të diel, doli me një deklaratë me 6 pika, në të cilën thuhet se Partia Demokratike është vetëm një. Përmes kësaj deklarate i bëhet thirrje të gjithë demokratëve të mbështesin kandidatët e Rithemelimit për zgjedhjet vendore.

Në deklaratën e Këshillit Kombëtar dënohet sjellja e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, duke i cilësuar ata si pengje të Edi Ramës.

DEKLARATA E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e tij të datës 5 mars 2023, analizoi gjerësisht gjendjen politike në vend në tërësi, dhe veçanërisht vazhdimin e skenarit armiqësor ndaj Partisë Demokratike nga Edi Rama dhe shteti i tij monist. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike deklaron se:

1. Partia Demokratike është vetëm një! Ajo është parti e anëtarëve të saj! Ajo është parti e njerëzve të lirë dhe asgjë nuk na ndal ne në misionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë!

2. Vendimi gjyqësor i Edi Ramës për të përjashtuar Partinë Demokratike nga zgjedhjet konfirmon tmerrin e tij nga opozita e vërtetë dhe planin e tij për të zhbërë opozitën, konsolidimin e monizmit të bazuar në vjedhjen, drogën, krimin. Ky plan ka dështuar dhe sot Partia Demokratike është më e fortë se kurrë!

3. Partia Demokratike dënon gjithashtu Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, pengje të Edi Ramës, që ishin instrumente të tij, në vendimin e tij antikushtetues. Partia Demokratike në betejën e saj me monizmin, është sot forcë politike më e fuqishme, më e përgatitur se kurrë  për të hyrë në zgjedhje dhe për t`i fituar ato. Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë, ne përfaqësojmë aspiratat dhe ëndrrat e shqiptarëve që duan ta shohin Shqipërinë si e gjithë Evropa!

4. Ne u bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike të cilët janë votuar nga anëtarësia, në procesin më transparent dhe më fisnik, më të civilizuar që ka njohur Shqipëria. Kështu u shërbejmë interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve!

5. I bëjmë thirrje shqiptarëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike si e vetmja mundësi për  të ndryshuar Shqipërinë!

6. Partia Demokratike fton demokratet dhe demokratët, mbështetësit tanë të vazhdojmë revolucionin tonë paqësor demokratik gjer në shpëtimin e Shqipërisë nga monizmi i Edi Ramës!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *