Myrto Uzuni nuk ndalet së shënuari në kampionatin spanjoll dhe në fundjavë ka tundur rrjetën për herë të 18-të në këtë sezon, duke u konfirmuar gjithnjë e më shumë si golashënuesi më i mirë i La Liga 2.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, ka qenë pjesë e suksesit 3-1 në transfertën e Granadës ndaj Burgos, teksa ka shënuar golin e dytë për skuadrën e tij në minutën e 84-t të kësaj sfide. Pas një kundërsulmi perfekt, ai gjuajti në shtyllën e parë duke dërguar topin në rrjetë pa i dhënë kohë portierit kundërshtar që të reagonte, duke kaluar në avantazhin e përkohshëm 2-1 ekipin. Kështu, Granada fitoi dhe iu bashkua Levantes në vendin e dytë me 54 pikë, vetëm 3 më pak se Las Palmas, që mban aktualisht vendin e parë. Dy skuadrat e para në renditje shkojnë direkt në La Liga, ndërsa katër ekipet më poshtë marrin pjesë në fazën “play off”. Sa i përket renditjes së golashënuesve, Uzuni ka një avantazh prej 7 golash ndaj De Hare të Mirandes, i cili mban vendin e dytë.
DRIBLUESI I KOHËS – Problemi në këtë situatë, nëse mund të quhet i tillë, është ai i lidhur me Kombëtaren. Shqipëria do të luajë kualifikuesen e parë të Europianit kundër Polonisë së Levandoskit më 27 mars, teksa 24 orë më herët Uzuni duhet të jetë në fushë me Granadën, e cila po lufton për t’u ngjitur në elitën e futbollit iberik. Pa Brojën dhe Manajn të dëmtuar, Manaj i dëmtuar, me Cikalleshi në Arabi, shpresat e Silvinjos për një debutim të suksesshëm janë të gjitha te djaloshi i lindur në Berat. Ai është golashënuesi më i mirë shqiptar nëpër Europë dhe mund të hasë probleme te Granada, që do të tentojë ta mbajë në skuadër. Me leje “në xhep”, 27- vjeçari do ta kishte gjithsesi të vështirë, pasi do të duhej të luante dy ndeshje në më pak se 24 orë, e ndërkohë në mes do të ishte edhe një udhëtim me avion. Probleme logjistike, por edhe nevojash, ndaj mbetet për t’u parë nëse Uzuni do të driblojë dot edhe kohën…/PanoramaSport