Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar zgjedhjet në Tuz të Malit të Zi. Forcat politike shqiptare do të kenë 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, uroi ditën e sotme fituesit e zgjedhjeve dhe shkroi se kjo fitore do t’i shërbejë zhvillimit dhe mirëqenies të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Përgëzime koalicionit “Forumi shqiptar” dhe kryetarit të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, për fitoren në zgjedhjet e 5 marsit! Vullneti i zgjedhësve të Tuzit do t’i shërbejë zhvillimit, mirëqenies, bashkëjetesës paqësore të komuniteteve dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin fqinj!” – shkruan Nikolla.
Koalicioni fitues përbëhej nga Alternativa Shqiptare (AA), e drejtuar nga kryetari aktual i Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe nga Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).
Nga 12.387 persona që kishin të drejtën e votimit, në zgjedhje morën pjesë 8245 votues ose 66.5%.