Kryeministri Edi Rama, në Kongresin e Shëndetësisë, ka folur edhe rreth largimit të bluzave të bardha, kryesisht drejt Gjermanisë. Ai theksoi se tashmë ka ardhur koha që të adresohen problematikat, pasi shteti nuk mbulon dot financimet për sistemin shëndetësor gjerman.
Pjesë nga fjala e Ramës: “Sot jemi para një problemi që duhet ta adresojmë në mënyrë të ndershme. Arsyeja se pse shtetet investojnë për të bërë sa më të lehtë procesin e studimeve, është për të garantuar shëndetin e popullit të tyre. Në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesi, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuara, dhe shërbimet nuk vihen në diskutim, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Pra, sot studenti i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale.
Këtë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh që s’ka nevojë t’i rendis. Shteti nuk e bën dhe taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për këtë, që ditën kur mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata që financohen nga ky buxhet dhe kjo sakrificë, të ikin të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.”