Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Adiola Lakrën, 26-vjeçaren e dyshuar si bashkëpunëtore në ekzekutimin e Hekuran Billës 11 qershorin e vitit të kaluar në kryeqytet.
Sipas prokurorisë, e reja ishte përdorur si “karrem” për të nxjerrë viktimën në pritë. Togat e zeza zëvendësuan masën “arrest në burg” ndaj saj me atë të “detyrimit për paraqitje”.
Pas ngjarjes, e reja pranoi të kishte pasur një raport me viktimën, por jo që të ketë ndihmuar në vrasjen e tij.
Si autorë të dyshuar të vrasjes së Billës në qeli janë aktualisht Viktor Marku dhe nipi i tij, Sebastian Mali.
Hekuran Billa, 40-vjeçari me origjinë nga Kukësi, i njohur dhe me emrin Herland Bilali, u ekzekutua më 11 qershor 2020 pranë qendrës Tregtare “Kristal Centre”. Ai u qëllua në kokë dhe në trup me armë me silenciator duke humbur jetën menjëherë, teksa ishte në ecje me makinë e tij BMW X6 me timon dhe targa angleze ‘SS777 OHO’. Adiola Lakra ka qenë ish e dashura e Hekuran Billës, ndërsa më vonë ishte lidhur me Sebastian Malin, nipin e Prel Markut.
Kush ishte Hekuran Billa?
Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, ishte një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje mbetur ne tentative” dy herë si dhe “Plagosje me dashje”. Ekzekutimi tij ka sjellë nxjerrjen në dritë dhe rastin e një të dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMW X6, në Shqipëri.
Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri.
/Priza.al/