Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur ditën e sotme një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës. Ai e falenderoi homologen për ndihmën që Danimarka i dha Shqipërisë, në ditët e vështira pas tërmetit të 26 nëntorit.
Duke e konsideruar, qëndrimin në Tiranë të kryeministres daneze, një vizitë historike, Rama tha se Danimarka ka qenë gjithnjë mbështetëse e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.
“Ka qenë prezent në një moment shumë të vështirë për ne, në momentin kur një tërmet katastrofik la në qiell të hapur mbi 15 mijë familje dhe nuk do harroj kurrë që një nga të parët që më kanë shkruar ishte kryeministrja. Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe Ballkanit në BE.
Historia e viteve të fundit ka qenë një vit krizash të rënda. E falenderoj ka qenë e disponuar për të ndarë eksperiencën e mënyrës si covid po trajtohej nga qeveria daneze. Ka qenë një ndihmë.
Dhe më e fundit, kriza e luftës na bën bashkë përsëri dhe ndajmë të njëjtat bindje e qëndrime. Vizita e saj këtu ka një rëndësi të vecantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së Bashkuar dhe BE.
Ne shohim një rritje të turistëve danezë në Shqipëri. Fluturimet direkte janë rritur vit pas viti, ndërsa shohim edhe një interesim të sipërmarrjes daneze, biznese në fushën e energjisë apo tregtisë. Uroj, duke qenë se kryeministrja është një personazh jo i parëndësishëm në rrjetet sociale të ketë influencuar në rritjen e turizmit në Shqipëri. Jam i lumtur që më në fund, je këtu pasi normalisht vizita do kryhej më parë po u shty për shkak të covid. Nuk e konsideroj vizitën e fundit, do vijosh të fitosh zgjedhje në Danimarkë.” u shpreh Rama.