Spanja s’e ndryshon qëndrimin për Kosovën, kërkon zgjidhje përmes dialogut

Spanja vazhdon të mos e ndryshojë pozicionin e saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse tha se është koha që të bëhen përpjekjet përfundimtare që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë spanjolle për Çështje të Jashtme, nëse Madridi ka ndryshuar qëndrim për Kosovën, pasi Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve. Nga kjo ministri thanë se “çështja e territorit të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Është koha që të bëhen përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Elena Aljarilla Cortezón, këshilltare për komunikimin në Ministrinë për Çështje të Jashtme të Spanjës.

Spanja dhe katër shtete të tjera të BE-së Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia) ende nuk e njohin pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.

Madridi zyrtar tha se ende ka punë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rezultati i takimit të 27 shkurtit ishte hap përpara, por ende ka punë për t’u bërë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve bazuar në propozimin e BE-së, që është mirëpritur nga Këshilli Evropian në shkurt. Edhe pse është pozitive që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi janë pajtuar për tekstin e propozimit pa asnjë ndryshim, nuk do të ketë marrëveshje të fortë pa pasur një plan të qartë se si do të zbatohet”, u tha në përgjigjen dërguar REL-it.  Pavarësisht se autoritetet spanjolle nuk e bën të qartë nëse do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre pas arritjes së një marrëveshjeje eventuale për normalizim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 28 shkurt deklaroi se pret që shtetet mosnjohëse evropiane ta bëjnë një gjë të tillë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *